Kujtojmë me rastin e 195-vjetorit të lindjes, patriotin dhe poetin arbëresh, Gennaro Placco (1826-1896). Ai lindi në Çifti të Kalabrisë në një familje të varfër dhe falë xhaxhit të tij prift, u regjistrua për të kryer studimet në kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit (San Demetrio Corone). Mjedisi kulturor dhe biblioteka e pasur e këtij kolegji, ndikuan në formësimin e personalitetit të tij dhe ndryshe nga pritshmëritë familjare për t’u bërë prift, ai ndoqi një tjetër rrugë.
Vijoi studimet juridike dhe noteriale dhe iu bashkua lëvizjes për lirinë dhe bashkimin e Italisë, të ashtuquajturës Risorgimento. Për shkak të angazhimit politik, kaloi një sërë peripecish e sfidash, mes të cilave dhe vuajtjet në burg. Ai njihet si simboli i idealistit trim dhe patriot, që për sakrificat e tij nuk kërkoi asgjë në këmbim. Për këtë arsye, është quajtur edhe “Luani i Arbërisë”, madje sot ekziston edhe një shoqatë kulturore me emrin e tij.
Gennaro Placco ka shkruar disa vepra poetike, kryesisht në zhanrin e poemës dhe të kujtimeve. Një nga poezitë më të njohura dhe më të bukura të tij është poezia “Vajtim”, ku paraqet frymën atdhetare dhe lidhjen e tij të fortë me vendlindjen.
Për më shumë specifika rreth krijimtarisë dhe personalitetit të tij, mund të lexoni në vijim profilin që ka hartuar miku i tij, shkrimtari rilindas Luigi Settembrini.
Burimi origjinal: http://albanesiditalia.altervista.org/gennaro-placco-il-leone-dellarberia/?fbclid=IwAR29r88td9JBXlxwpnzbrnAZ0JvHnpfzkGMi5Z9Rm4s2dBBCxRuJpvmhvU0