Më 3 nëntor 1843 lindi Anselmo Lorecchio, avokat dhe publicist i njohur arbëresh, botuesi i revistës së njohur “La Nazione Albanese” (Kombi shqiptar) në vitet 1897-1924. Së bashku me Jeronim De Radën dhe Zef Skiroin, kanë qenë ndër zërat më të njohur të lëvizjes tonë kombëtare. Lorecchio ishte dhe një nga nismëtarët e kongreseve gjuhësore për gjuhën shqipe në Itali. Ai i shikonte shkaqet e përçarjes të shqiptarëve jo tek ndarjet fetare, por tek të huajt, që i cytnin shqiptarët kundër njëri-tjetrit.
U diplomua për drejtësi në Napoli dhe mori pjesë në qarqet intelektuale, të gjalla në atë kohë në atë qytet. Jeta e tij intelektuale ishte e dyzuar ndërmjet ligjit dhe gazetarisë. Në 1897 u emërua kryetar i “Shoqërisë Kombëtare Shqiptare” dhe po atë vit filloi botimin e revistës “La Nazione Albanese”, organ politik, letrar, kulturor në gjuhën italiane, që botohej me moton: “Shqipëri përpara!”. Revista u bë qendra e të gjithë shqiptarëve të betejave, të guximshme, luftarake. Lorecchio e kishte vizituar Shqipërinë, e dinte historinë, nevojat, aspiratat. Në fushatën e tij të gjatë në mbrojtje të çështjes shqiptare, kishte njohur personalisht ata që e kishin ideatorët e saj në të tjera ngulime shqiptare nëpër botë, dhe në kuadër të komunimimeve me ta kishte publikuar edhe në kolonitë shqiptare në Rumani, Maqedoni, Bullgari, Egjipt, Konstandinopojë, Amerika.
Kuvendi Kombëtar i vitit 1924 e vlerësonte kontributin e arbëreshit Anselmo Lorecchio, i cili me kontributin e tij patriotik për rreth 40 vite, me revistat e librat e botuar, konferencat realizoi e ku mori pjesë, u bë një zë i pazëvendësueshëm, në lëvizjen kombëtare shqiptare. Postulati i tij i përhershëm do të thuhej nga Terenc Toçi në mbledhjen e kuvendit të 29 marsit 1924 ishte: “Na nuk jemi latin (italian), por arbëresh (shqiptar)”.