Giuseppe Chiaramonte

Prof. Giuseppe Chiaramonte lindi në Santa Cristina Gela në vitin 1946 në Palermo. Pasi kreu Liceun klasik në Grottaferrata ndoqi studimet universitare për filozofi, pranë Universitetit “Gregoriana”, Romë, 1967. Dha mësim në gjimnaz, e më pas qe përgjegjës i bibliotekës. Doktor në Teologji “cum laude”, pranë Universitetit “San Tommaso d’Acquino”, Romë, 1971. Kreu kursin dyvjeçar për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë (1971-72) dhe Palermo (1972-73). Ka marrë pjesë disa herë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës. Për disa vjet ka mbajtur kurse për Alfabetizmin dhe Kulturën arbëreshe-shqiptare nëpër shkolla dhe në bibliotekën që pati drejtuar, si edhe ka referuar në seminare, kongrese, mitingje, simpoziume në Itali, Francë, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni. Më 1991 ka bashkëpunuar, si përkthyes zyrtar, me Prefekturën dhe me Kuesturën e Palermos për mirëvajtjen e Qendrës së Refugjatëve shqiptarë në Buonfornelo, kurse më 1999 ka pritur refugjatët Kosovarë në ish-bazën amerikane të Komiso-s në Sicili. Në Kosovën e lirë ka bashkëpunuar me UNMIK-un në llogari të disa OJQ-ve dhe ishte vëzhgues gjatë zgjedhjeve të para demokratike. Është autor, ndër punime të tjera, i vëllimeve “Ne vijmë nga Shqipëria”, Romë: Sinnos, tekst dygjuhësh për fëmijë, 1992, dhe “Toka e Konstandinit: Bizantinë Harabë Normanë dhe Shqiptarë në Sëndahstinë: burime dokumentare”, Palermo, 2002. Falë interesave të tij në fushën e albanologjisë, Fakulteti i Letërsisë së Universitetit të Palermos e ka emëruar kultivues i lëndës. Ka qenë korrespondent për Sicilinë, dhe më parë edhe për Kosovën, i Radio Vatikanit – Programi në gjuhën shqipe, nga viti 1991. Anëtar i Komitetit Eksekutiv Krahinor i Shoqatës Bibliotekare Italiane (AIB), 1999-2002. Anëtar i Redaksisë së Revistës “Il Pitre” të Muzeut Etnogafik Sicilian, Palermo, 1999-2003. Anëtar themelues dhe përgjegjës për kulturën arbëreshe dhe shqiptare i Accademia Siciliana dei Mitici, 2012. Është autor i një vargu artikujsh shkencorë, studimorë dhe divulgativë.