Rreth Nesh

Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është institucioni kërkimor shkencor për diasporën shqiptare. Ajo kryen studime në fushën e historisë, letërsisë dhe të kulturës së komunitetit arbëresh. Krijimi i këtij institucioni u miratua me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 601, Datë 04.09.2019.

Arbëreshët përfaqësojnë komunitetin më të vjetër në diasporën shqiptare. Ky komunitet u vendos në mjedis të huaj në Perëndim, nën presionin e asimilimit për më shumë se gjashtë shekuj më parë. Ata ruajtën gjuhën amtare dhe kulturën materiale e shpirtërore të vendlindjes, duke u bërë një nga shembujt më elokuent të cilësive të gjenezës, shqiptarisë dhe historisë kombëtare. Arbëreshët e Italisë, të Zarës në Kroaci dhe i arbëreshëve të vendeve të tjera (deri në Argjentinë), vijon të mahnisë studiuesit e fushave të ndryshme. Jo vetëm largësia në kohë, por edhe shpërndarja në distancë nga njëra-tjetra dhe pa mundësi kontakti mes tyre, e rrit kuriozitetin shkencor për mënyrat sesi janë ruajtur gjuha, tradita dhe zakonet shqiptare. Studimi i tyre tregon si u zhvillua lëvizja mendore e kulturore e arbëreshëve, të cilët kontribuan edhe për zhvillimin e letërsisë dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, por edhe më gjerë, në vendet evropiane. Krijimi i Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) synon mbrojtjen e kësaj trashëgimie, përmes koordinimit të lidhjeve më të forta me këtë komunitet për të ruajtur nga asimilimi gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve dhe për të promovuar arritjet kryesore të saj.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është krijuar në kuadër të strukturës shtetërore për diasporën shqiptare. Ajo shërben për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore e shpirtërore shqiptare, si dhe për studimin e promovimin e tyre përmes botimeve e veprimtarive të ndryshme.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është me seli në Tiranë.

AMBIENTET TONA

en_USEnglish