Ditëlindja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, është një ndër festat më të mëdha të arbëreshëve. Professor Francesco Altimari, në një ligjëratë me titull: “Skënderbeu, si mit themelues i identitetit arbëresh”, të mbajtur në Tiranë me rastin e “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, ka thënë se: “Figura e Skënderbeut për arbëreshët, pas vdekjes, u bë mburojë, në sajë të jehonës së madhe dhe impaktit të bëmave të tij epike, por dhe veprimtaria e tij e mprehtë politike dhe diplomatike që patën në qarqet e larta të diplomacisë së shteteve të perëndimit, duke favorizuar kështu mikpritjen në Itali të arbëreshëve si “populli i Skënderbeut’”.
Për figurën e heroit tonë kanë shkruar shumë autorë. Por sipas Mandala-s, “Arbëreshët, mitin e Skënderbeut e ruajnë akoma gjallë falë traditës, valleve dhe folklorit. Nuk ishte aspak e lehtë por në kohën e pashkëve tradita dhe kujtimi i tij është i gjallë, pasi vallet, tradita dhe festimi i pashkëve na kujton heroin tonë dhe këtë ne e kemi trashëguar te fëmijët në formën e lojës për të mos humbur rrënjët tona në disa nga fshatrat që akoma këndohen dhe kërcehen këto valle autentike. Gjithashtu gjurmë të ruajtjes së identitetit të Skënderbeut në fshatrat e arbëreshëve ekzistojnë akoma në emra të përveçëm, që gjenden në formularët e pagëzimeve, në këtë mënyrë mbahet gjallë kujtesa popullore, pra falë këtyre dëshmive të cilat janë fakte dhe duhet të jemi krenar për këtë trashëgimi”.