Sot, në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, u zhvillua mbledhja e dytë e Këshillit Koordinues. Rendi i ditës parashihte diskutimin e:
- Botimeve të parashikuara për këtë vit kalendarik.
- Botimin e Revistës Studimore-Shkencore (një herë në vit).
- si dhe çështje të tjera që dolën gjatë diskutimit.
Drejtoresha e Qendrës, prof.Diana Kastrati paraqiti relacionin me projekt propozimet (të cilat u ishin dërguar paraprakisht me mail anëtarëve të Këshillit Koordinues). U diskutua mbi botimin e dy veprave me karakter studimor, përkatësisht të Komedive dhe Melodramave të Francesco Antonio Santori-t, vepra të cilat i kanë munguar lexuesit shqiptar. Veprat e këtij autor dallohen për tematikat shoqërore-politike që trajtojnë. Por, krahas kësaj, veprat e tij janë edhe një përmendore gjuhësore e arbërishtes së shek.XIX dhe japin një lëndë me interes të veçantë për të studiuar se si autorët arbëreshë u përpoqën ta ngrinin idiomën e tyre popullore në nivelin e një gjuhe të përpunuar letrare. Nga ky autor deri më tani njihej kryesisht drama “Ermira”. Vepra e dytë është një përmbledhje shkrimesh me karakter gjuhësor dhe historik të personalitetit poliedrik të Rilindjes shqiptare, Jeronim De Radës.
Në këtë libër ato janë përmbledhur dhe ndarë në pesë pjesë sipas tematikës dhe karakterit të tyre, të cilat lexuesi i zakonshëm shqiptar i ka njohur kryesisht nëpërmjet citimesh prej të tjerëve, sepse janë botime të rralla e të arritshme me vështirësi. Ato do t’i ofrohen lexuesit të përkthyera në shqip. Dy veprat e tjera për botim, luhaten midis karakterit divulgativ e studimor. E para është “Një rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, një përmbledhje e përshkrimeve historike, gjeografike, antropologjike kulturore, etnografike e folklorike të komunave arbëreshe të Italisë së Jugut. Punimi është përgatitur nga At Ndon Bellusci. Ky libër u drejtohet të gjithë të interesuarve për të njohur botën arbëreshe, të rinjve shqiptarë në veçanti. I pajisur edhe me fotografitë përkatëse për secilën Komunë, aim und të shërbejë edhe si një udhërrëfyes për cilindo të interesuar. Vepra e katërt “Rrugëtim etnografik mbi veshjet e arbëreshëve të Italisë së Jugut”, propozon 22 tipologji veshje grash arbëreshe, me vizatime dhe me shpjegimet përkatëse. Vepra do të paraprihet nga një studim introduktiv, si dhe do të pajiset edhe me njëp fjalorth termash në fund të tij.
Në vijim u paraqit projekti për botimin e revistës shkencore, e cila do të mbajë titullin “Continuum” që semantikisht simbolizon vijimin, mosndërprerjen e historisë tonë të përbashkët. Do të përmbajë nga një studim të studiuesve të Qendrës, si dhe kontribute, gjykime nga studiues me emër mbi një temë të caktuar. Në fund, do të vendoset edhe një buletin informativ mbi aktivitetin kërkimor studimor të secilit studiues të Qendrës.