Francesco Crispi (1818–1901) ishte personalitet politik e shtetëror italian me origjinë arbëreshe. Lindi në Ribera (Sicili). Bashkëpunoi me Garibaldin në revolucionin sicilian (1859) dhe u bë këshilltar politik i tij. U zgjodh deputet i parlamentit të parë italian që u hap në Firence (1861). Dy mandate ka qenë Kryeministër i Italisë, në vitet 1887–1891 dhe 1893–1896. Gjatë qeverisjes së tij, u përpunua ideja e qarqeve politike të Romës për një “Shqipëri të pavarur” nën protektoratin e Italisë dhe u hap në Shkodër shkolla e parë katolike shtetërore italiane (1888). Nga viti 1896, filluan të ngrihen shkolla të tjera italiane, fillore e profesionale në Shkodër, në Durrës, në Janinë e në Vlorë. Në të gjitha këto shkolla, mësimi jepej në gjuhën italiane, ndërsa në fillim të shek. XX u fut edhe mësimi i gjuhës shqipe.
Burimi origjinal: http://illyriapress.com/arbereshi-francesko-krispi-kryeminiser-i-italise-se-bashkuar-ne-dy-mandate/