
Mira Hoxha (l. 1971) lindi në Elbasan. Pas përfundimit të studimeve universitare në Fakultetin e Histori Filozofisë të Universitetit të Tiranës, ka punuar fillimisht si mësimdhënëse, bashkëpunëtore në Institutin për Studime Pedagogjike, anëtare e disa nismave arsimore dhe shkencore, si dhe bashkëautore e një numri librash në fushën didaktike dhe historike. Znj. Hoxha filloi punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi përfundoi studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politika të Krahasuara, në Universitetin e New York, SHBA. Karrierën e saj diplomatike, znj. Mira Hoxha, e ka filluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Integrimit Euro-Atlantik dhe e Marrëdhënieve Shumëpalëshe, Departamenti i OKB-së, vazhdoi më tej në Departamentin për Këshillin e Evropës dhe OSBE-në, Drejtore e Nismave Rajonale dhe sot mban postin e Drejtores së Diplomacisë Ekonomike, Publike dhe Diasporës.
Në vitin 2011 ajo u dekretua Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari. Gjatë mandatit të saj pesë-vjeçar në Hungari si Ambasador, ajo ka realizuar një aktivitet të dalluar diplomatik. Karriera e saj diplomatike, për më tepër ka vazhduar edhe duke qenë Pika Fokale Shqiptare e Vëzhgimit të Zgjedhjeve për OSBE/ODIHR, si dhe Koordinatore Kombëtar i disa nismave të rëndësishme rajonale, siç janë ato të Nismës së Evropës Qendrore, Nismës Adriatiko-Joniane, etj. Flet rrjedhshëm anglisht dhe posedon aftësi dhe përvoja të shkëlqyera komunikuese, organizative dhe menaxhuese në një larmi të gjerë sferash.