Portali për Arbëreshët

Sikurse është e njohur, valët historike të emigracionit shqiptar që prej shekullit XIV kanë përfshirë në radhë të parë vendet fqinje të Shqipërisë, Greqinë, Gadishullin Apenin, brigjet e Dalmacisë, por edhe më në thellësi të Ballkanit, Bullgarinë, Rumaninë etj., për t’u përhapur gjer në brigjet e Detit të Zi, në Theodozi e Odesa, vende që do të shpërndanin në mbarë Evropën e më tej diasporën historike shqiptare.

Ngulimet më të shumta arbëreshe janë në Itali. Sipas profesor Eqrem Çabejit, “shtegtimi shqiptar në Itali nuk është kryer përnjëheret, po me disa valë të ndryshme, të cilat shkojnë afërsisht prej mesit të shekullit XV gjer aty nga viti 1744, kur u themelua Villa Badessa në Abrucet. Duke kaluar disa grupe sporadike që shfa­qen atje në vjetet 1272, 1388, 1393 etj., si valë të parë do të përmendim një tufë të shpërngulurish të vitit 1442. Një tjetër valë na del në qytetin Ankona (1458) e një tjetër në qytetin e afërt Rekanati (1479), kjo e dyta diktuar nga poeti Giacomo Leopardi. Për vitin 1461 kolonistë shqiptarë dëshmohen bashkë me sllavë dhe në Castelluccio dei Sauri në Apuli veriore. Në një letër të vitit 1467 thuhet ndër të tjera ‘fra l’altri Albanesi quali so passati et passano omni di in questo nostro regno’. Po nga ajo kohë përmenden për qytetin e Brindisit një tufë ikësish, të cilët sjellin lajmin atje për dukjen e sulltan Mehmetit II në afërsitë e lumit të Erzenit. Një valë shqiptarësh të Greqisë na dëshmohet për vitin 1482”.

Nga të gjitha të dhënat historike të deritanishme rezulton se pjesa më e madhe e ngulimeve arbëreshe u themelua pas vitit 1468, pra pas vdekjes së Skënderbeut.
Profesor Françesko Altimari thekson se,  ky mërgim u krye në disa faza. Përveçse në territoret e Republikës së Venedikut që prej shekujsh mbante lidhje të ngushta politike dhe tregtare me trojet e Shqipërisë, u orientua sidomos drejt zotërimeve të Mbretërisë së Napolit, për shkak të afrisë gjeografike, por edhe të marrëdhënieve të mira mes Skënderbeut dhe mbretërve të Napolit.
Në fund të eksodit të vërtetë që u nxit edhe nga kushtet e favorshme shoqërore, ekonomike dhe politike që ekzistonin asokohe në Gadishullin Apenin, krahasuar me gjendjen e mjerueshme ku dergjej Ballkani, u themeluan dhe u populluan qindra fshatra dhe ngulime arbëreshe, pjesa më e  madhe e të cilave u përqendrua në Kalabri.
Në Venedik gjejmë të shpërngulur shqiptarë më 1388 e 1444, po me shumicë sidomos pas rrethimit edhe rënies së Shkodrës më 1479. Kjo koloni kryesisht zejtarësh të ndryshëm e tregtarësh u zmadhua me kohë me njerëz të ardhur prej viseve të ndryshme të Shqipërisë veriore e jugore, të cilët kanë pasur dhe esnafet e tyre.

Elementi arbëresh i Italisë gjatë këtyre pesë shekujve ka pësuar mjaft ndryshime dhe humbje në numër, sidomos nëpër qytete. Megjithatë ka ruajtur përgjithësisht me një qëndresë të çuditshme gjuhën dhe vetitë etnografike. Sot flitet shqip në 49 lokalitete a katunde të Italisë jugore e të Siqelisë, në Abrucet, Molize, Kampani, Bazilikatë, Kapitanatë, Apuli, Kalabri e Siqeli, me një popullsi rreth 100.000 frymë.
sqAlbanian