VKM

 VENDIM

Nr.601, datë 4.9.2019

PËR

KRIJIMIN E QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  1. Krijimin e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në vijim “QSPA”, si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për diasporën.
  2. Misioni i QSPA-së është kryerja e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
  3. Burimet e financimit të QSPA-së janë:

           a) buxheti i shtetit;

           b) donacionet;

           c) të ardhura të tjera, të ligjshme.

 II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT

4. QSPA-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e qendrës dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për diasporën. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën.

5. Marrëdhëniet e punës së titullarit, nëpunësve dhe punonjësve të QSPA-së rregullohen sipas parashikimeve të Kodit të Punës.

6. QSPA-ja kryen detyrat dhe funksionet, si më poshtë vijon:

a) Kryen studime për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh;

b) Boton studimet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

c) Promovon ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit arbëresh;

ç) Organizon aktivitete, seminare dhe konferenca shkencore me fokus komunitetin arbëresh.

  1. Pranë QSPA-së funksionon Këshilli Koordinues, si organ këshillimor, për:

a) projektet e studimeve e të publikimeve të QSPA-së, në përputhje me dokumentet strategjike për marrëdhëniet me diasporën si dhe me programet kërkimore-shkencore;

b) përcaktimin e planit të aktiviteteve dhe çdo lloj organizimi tjetër, me specialistë të fushës, që ofrojnë ekspertizë të specializuar në zbatim të fushës së përgjegjësisë së QSPA-së.

8. Këshilli Koordinues i QSPA-së është organ kolegjial, i përbërë nga anëtarë, i cili ka përfaqësues nga:

a) Akademia e Shkencave;

b) Akademia e Studimeve Albanologjike;

c) ministria përgjegjëse për politikën e jashtme;

ç) ministria përgjegjëse për kulturën;

d) Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës;

dh) Agjencia Kombëtare e Diasporës;

e) Tre përfaqësues të komunitetit Arbëresh, njëri prej të cilëve nga komuna e Zarës, në Kroaci.

9. Mandati i anëtarëve të Këshillit Koordinues të Studimeve të QSPA-së është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

10. Anëtarët e Këshillit Koordinues të QSPA-së duhet të jenë drejtues të nivelit të lartë të institucioneve të përfaqësuara, të cilët emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën, me propozim të titullarit të institucionit përkatës. Përfaqësuesit e komuniteteve të arbëreshëve jashtë vendit propozohen nga ambasadorët e akredituar në vendet që kanë komunitete të arbëreshëve. Ministri përgjegjës për diasporën cakton njërin nga anëtarët si kryetar të këtij këshilli.

11. Kryetari dhe anëtari i Këshillit Koordinues të QSPA-së shkarkohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar:

a) kur lirohet ose shkarkohet nga funksioni drejtues, që ushtronte në institucionin që përfaqëson;

b) me propozim të titullarit të institucionit të përfaqësuar, për shkak të ndryshimit të misionit e të detyrave që ai kryen në atë institucion;

c) kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e Këshillit Koordinues.

12. Ministri përgjegjës për diasporën, 30 (tridhjetë) ditë para mbarimit të mandatit 4-vjeçar ose menjëherë pas shkarkimit të anëtarit, i kërkon institucionit të përfaqësuar në Këshillin e Koordinimit paraqitjen e emrit të kandidatit për anëtar të këtij këshilli.

13. Struktura dhe organika e QSPA-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

14. Rregullorja e brendshme e punës e QSPA-së miratohen nga ministri përgjegjës për diasporën, pas propozimit të drejtorit të saj.

15. QSPA-ja ka stemën dhe logon e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë”, “Ministri i Shtetit për Diasporën”, “Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë. Logoja e QSPA-së, sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi, vendoset në çdo publikim dhe studim të këtij institucioni.

16. Vula e QSPA-së ka formën dhe elementet sipas përcaktimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

  1. Ngarkohet ministri i Shtetit për Diasporën, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (Universiteti i Tiranës) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren Zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2020.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

sqAlbanian