Sot, saktësisht pas një viti nga fillimi i funksionimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, realizohet edhe njëri nga objektivat madhorë e kryesorë të saj: shohin dritën e botimit 4 librat e parë. Kolana “Thesaurus” hapet me librin “Vepra historiko – filologjike dhe publicistike të De Radës”, e kuruar nga Profesor Jup Kastrati, 905 faqe. Ky libër është një përmbledhje e shkrimeve me karakter filologjik dhe historik të De Radës, të shkruara në italisht në organe të ndryshme të kohës, të sjella në shqip nga Kastrati, e pajisur me një bibliografi të pasur të De Radës dhe mbi De Radën, e mbledhur nga Prof. Kastrati në një hark kohor prej 6o vitesh, si dhe me dokumente autentike të Kastratit që vërtetojnë zanafillat e punës së tij mbi këtë figurë emblemë të kulturës arbëreshe. Kjo vepër, gjithashtu bën pjesë në nënkolanën “In memoriam” të autorëve që nuk janë më në jetë, punën e të cilëve do e risjellë për publikun QSPA gjatë viteve. Libri i dytë është Monografia “Santori, poet dhe dramaturg”, me autore studiuesen Klara Kodra. Ky libër ka 268 faqe. Santori, për një kohë të gjatë, ka qenë i njohur kryesisht si dramaturg dhe vetëm për një dramë, “Emirën”. Monografia e Prof. Kodrës është pasuruar me material të ri dhe analiza mbi poezitë lirike të Santorit. Gjithashtu, tok me dramën “Emira” për të cilën jepet një vlerësim i ri, analizohen tragjedia e tij “Neomenia” melodramat dhe komeditë e tij, me synimin për ta rivlerësuar këtë autor dhe për të gjetur saktësisht vendin e tij në historinë e letërsisë shqiptare. Libri i tretë është: ʺNjë rrugëtim në ngulimet arbëresheʺ, me 452 faqe, një punim divulgativ-deskriptiv, i realizuar nga Anton Bellusci & Ornela Radoviska. Ky libër është një përmbledhje nga pikëpamja antropologjike, fizike e komunave arbëreshe të Italisë së Jugut. Antonio Bellusci, 90-vjeçar tashmë, është një nga misionarët e çështjes arbëreshe me kontributin e tij shumëplanësh. Në botimet e para të QSPA përfshihet edhe monografia e njërës prej studiuesve të qendrës, Dr. Silvana Nini, etnografe, e cila sjell studimin “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e Arbëreshëve të Italisë së Jugut”, me 187 faqe, shoqëruar me vizatime të veshjeve. Përveç studimit shkencor dhe historikut të ndjekur nga veshjet arbëreshe, vepra sjell risinë e një albumi me ilustrime mbi tipologjinë e veshjes arbëreshe, të realizuar nga vetë autorja si dhe përfshin edhe një fjalorth terminologjik mbi këtë lëmi.
Kuvendi i Dytë i Studimeve Arbëreshe me temë: “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI” – Forum mes aktorëve kryesorë
Në përfundim të një maratone dyditore kumtesash e prezantimesh u mbyll Kuvendi i Dytë të Studimeve Arbëreshe organizuar nga Qendra...