Zv/ministrja Artemis Malo, që mbulon portofolin e Diasporës në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme bëri sot një vizitë në zyrat e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Ajo u prit në një takim të veçantë nga drejtoresha e QSPA, prof. Diana Kastrati. Më pas takimi vijoi rreth dy orë me pjesëmarrjen e studiuesve dhe stafit të QSPA mbi veprimtaritë dhe ecurinë e punëve të qendrës.
Zv/ministrja Malo u njoh më nga afër me studimet dhe botimet e QSPA dhe vendosmërinë e studiuesve të qendrës për sensibilizimin dhe përhapjen e çështjes arbëreshe. Në takim zv.ministrja u informua mbi aktivitetet e QSPA, në veçanti për aktivitetin më të afërt, ‘Ditët e Librit Arbëresh’ që do të mbahet në Tiranë në muajin nëntor.
Në këtë takim zv/ministrja u informua mbi projektin e rëndësishëm të QSPA për ngritjen e ‘Shtëpisë së Arbëreshëve’ me tri hapësirat kushtuar: 1. Arkivit të Arbëreshëve 2. Bibliotekës së Arbëreshëve dhe 3. Muzeut të Arbëreshëve. Në takim gjithashtu u fol për planifikimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së QSPA në Samitin e Diasporës që do të mbahet në Tiranë në datën 18 dhjetor 2022.
Gjithashtu në këtë takim ndër të tjera u diskutua për nisma të tjera të QSPA të cilat morën vëmendjen dhe inkurajimin e zv/ministres Malo, e cila shprehu gatishmërinë për të kontribuar në çfarëdo forme të mundshme në përkrahje të aktiviteteve dhe planeve të qendrës.