Kontributi i arbëreshëve, sidomos i atyre të Italisë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është tashmë i njohur. Një varg punimesh kanë ndriçuar pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së arberëshëve në ndihmë të zhvillimit të nacionalizmit gjatë shekullit XIX. Por njohuritë tona janë shumë të kufizuara kur vjen puna te marrëdhëniet dhe ndërshkëmbimet ndërmjet arbëreshëve dhe shtetit shqiptar. A vijuan arbëreshët, mbështetja e të cilëve për themelimin e një shteti shqiptar ka qenë e padiskutueshme, të ishin të pranishëm në jetën kulturore, ekonomike, shoqërore dhe politike të Shqipërisë së pavarur? Si veproi shteti shqiptar t’i mbante arbëreshët të përfshirë dhe të angazhuar në problemet e Shqipërisë? A hartuan institucionet shtetërore politika kundrejt komuniteteve shqipfolëse të diasporës së hershme shqiptare? A pati rol ideologjia hegjemone që sundonte politikat e regjimeve politike në Shqipëri në periudha të ndryshme historike në qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj arbëreshëve? A luajti ndonjë rol realpolitika e Tiranës zyrtare në ruajtjen e urave të komunikimit me arbëreshët? Po politikat identitare që i shërbenin projektit të komb-formimit dhe farkëtimit të ndjenjës kombëtare dhe homogjenizimit kulturor në Shqipëri, a ndikuan? Pra, a ishin arberëshët instrumente të nevojshme të agjendave të elitave politike që kanë drejtuar Shqipërinë në vitet 1920-1990? Nëse po, pse dhe si? Nëse jo, pse? Konferenca e organizuar nga QSPA dhe Instituti i Historisë synon t’u kthejë përgjigje këtyre pyetjeve.
Përpos interesit akademik për të hedhur më shumë dritë mbi këtë pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, trajtimi i këtyre çështjeve bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me rritjen e interesit nga ana e politikëbërësve shqiptarë për ruajtjen e lidhjeve të arberëshëve me Shqipërinë. Ruajtja e identitetit arbëresh kërkon një kujdes të posaçëm në epokën e globalizimit, i cili me forcë të pandalshme gërryen kulturat dhe gjuhët e vogla në avantazh të gjuhëve të fuqive hegjemone botërore. Por ky interes që po shfaqet gjithnjë e më me forcë vitet e fundit, nuk fillon në një tabula rasa. Ai ka rrënjë më të vjetra. Kjo konferencë që synon të finalizohet me një botim kolektiv, ka për qëllim të identifikojë çfarë ka patur vijimësi dhe çfarë ka ndryshuar në politikat dhe qëndrimin e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë, kontributet e kësaj konference do t’u shërbejnë edhe hartuesve të politikës shqiptare të kontekstualizojnë historikisht nismat e tyre. Një nga funksionet kryesore të historisë është të përdorë të shkuarën për të kuptuar më mirë të tashmen. Ky është edhe objektivi i organizatorëve të kësaj konference.
Metodat dhe qasjet
Kumtesat që do të paraqiten në këtë konferencë duhet sjellin risi në lëmin e studimeve mbi arbëreshët dhe politikat e shtetit shqiptar kundrejt tyre. Aplikantët që do të paraqesin interes për pjesëmarrje në këtë konferencë, duhet që në kumtesat e tyre të shpalosen risi në lëmin e studimeve mbi arbëreshët dhe politikat e shtetit shqiptar kundrejt tyre. Analizat e këtyre sprovave duhet të integrohen në një kuadër më të gjerë teorik dhe të përdoren metodologjitë bashkëkohore në analizimin e burimeve të pashfytëzuara më parë, ose në rileximin e atyre të përdorura deri tani. Organizatorët do t’i japin përparësi metodës krahasuese dhe qasjeve transnacionale, që kapërcejnë paradigmën vetizoluese etnocentrike.
Aplikimet
Konferenca do të mbahet mes datave 4-8 tetor të vitit 2021. Afati i pranimit të abstrakteve është deri më 15 shkurt 2021, me një tekst prej maksimumi 200 fjalësh. Aplikuesit duhet të përcaktojnë temën, të shpjegojnë vijat e përgjithshme të argumentit, llojet e burimeve që do të përdorin, metodologjinë e analizës, si dhe kornizën teorike brenda së cilës do të vendosin sprovat e tyre. Aplikimet duhet të shoqërohen edhe me një biografi të shkurtër të jetës akademike të autorit.
Abstraktet mund të dërgohen në adresën info@qspa.gov.al, ku të interesuarit mund të drejtohen edhe për pyetje apo sqarime të tjera që i vlerësojnë të nevojshme.