Më 18 dhjetor 2024 u mbajt simpoziumi shkencor: “Ziaudin Kodra – Studiuesi i vyer i botës arbëreshe” me rastin e 115- të lindjes së këtij studiuesi, me kontribute të shumëfishta në fushën e letërsisë, gjuhës dhe të kulturës shqiptare.
Veprimtaria u organizua nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në sallën “Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Tiranë.
Simpoziumi shkencor u çel me fjalën përshëndetëse të Drejtoreshës Ekzekutive të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Prof. Diana Kastrati e cila gjatë fjalës së saj theksoi kontributin e çmuar të studiuesit Kodra për letërsinë dhe kulturën arbëreshe.
Më tej u vijua me prezantimin e materialit filmik mbi ekspeditën studimore të prof. Ziaudin Kodrës tek arbëreshët e Italisë: “Takim me arbëreshët në vitin 1965”. Përmes këtij materiali filmik erdhi vizualisht më pranë të pranishmëve studiuesi Kodra në ekspeditën e kryer te komunitetet e arbëreshëve të Italisë.
Nën moderimin e studiueses së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) Dr. Jolanda Lila, u çel edhe sesioni i parë i kumtesave në këtë simpozium shkencor.
Prof. Emeritus Emil Lafe mbajti kumtesën “Vlera shkencore dhe mësimore në librin “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe. Ai bëri një analizë përmbajtjesore të këtij teksti duke dhënë sugjerimin që QSPA të shohë mundësinë e ribotimit të këtij libri të vyer për nxënësit dhe studiuesit e letërsisë shqipe dhe arbëreshe.
Më pas, prof. Ymer Çiraku me kumtesën “Kontributi i Ziaudin Kodrës për studimin e letërsisë arbëreshe” trajtoi kontributin e studiuesit Ziaudin Kodra si një ndër studiuesit më të njohur të letërsisë arbëreshe në Shqipëri. Studiuesi thekson se kthesa e madhe e letërsisë shqipe nisi me ndryshimet dhe kontributet e letërsisë arbëreshe veçanërisht me kontributin e veprës “Këngët e Milosaos” (1836), të Jeronim De Radës.
Prof Klara Kodra mbajti kumtesën “Ziaudin Kodra studiuesi i Schiro-it”, ku bëri një analizë të punës studimore serioze të Z.Kodrës për poemat e Zef Skiroit, duke i vendosuar në një rang botëror. Ai shkrinte analizën dhe sintezën në këtë studim të tij duke theksuar atë që nënvizonte Kodra pasqyrimin e jetës së gjallë arbëreshe dhe mallin e arbëreshëve për atdheun.
Dr. Silvana Nini mbajti kumtesën “Takim me arbëreshët – Ekspedita studimore e vitit 1965 në këndvështrimin e të dhënave arkivore”. Gjatë kumtesës së prezantuar Dr. Nini paraqiti dëshmitë e botës arbëreshe të cilat paraqiten më të dukshme e të prekshme përmes të dhënave që gjenden në arkivat shtetërore. Ajo theksoi politizimin e skajshëm në raportet e arkivave, ku veçoi raportin e ekspeditës studimore të vitit 1965 në fshatrat e Kozencës, ku paraqitet për herë të parë termi arbëresh. Të dhënat gjeografike, urbanistika, shpërndarja e komuniteteve, gjendja ekonomike e këtyre fshatrave, kontributi i klerit arbëres, dhe një plan për vijimin e ekspeditave studimore në të ardhmen pasqyroheshin në raportin e kësaj ekspedite të vitit 1965.
Studiuesja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Dr. Vilma Proko mbajti kumtesën “Ziaudin Kodra i vështruar si studiues i shqipes dhe i arbërishtes”. Studiuesja Proko parashtroi një analizë të hollësishme studimore mbi rolin dhe kontributin e Z. Kodrës ai paraqiste admirimin e tij për gjuhën e përdorur te Thimi Mitko në veprën folklorike “Bleta Shqiptare” (1878). Ajo parashtroi disa shënime gjuhësore të mbledhura në fshatrat arbëreshe të Kalabrisë të mbledhura nga studiuesi Kodra dhe rekomandimet e tij mbi përdorimin e fonemave edhe në fshatrat arbëreshe të Italisë së Jugut të cilat studiuesi nuk mundi t’i vizitonte në terren.
Dr. Jolanda Lila mbajti kumtesën “Jeronim De Rada në studimet e prof. Ziaudin Kodrës”. Dr. Lila në kumtesën e saj analizoi rolin e studiuesit dhe një prej personaliteteve më të rëndësishëm të botës arbëreshe Jeronim De Rada në shkrimet e studiuesit Kodra. Dr. Lila u ndal në mënyrë të veçantë në rolin e studiuesit Ziaudin Kodra në zbulimin e materialeve të reja të panjohura të shkrimtarëve të njohur por edhe minorë të letërsisë arbëreshe. Ajo veçoi argumentet e renditura nga Kodra për rëndësinë e veprës së themeluesit të letërsisë shqipe, Jeronim De Rada siç e cilëson edhe vetë studiuesi Kodra ‘Mësonjësi i parë i shqipes’. Studiuesja Lila përgjatë kumtesës shpërfaqi meritat historike, patriotike dhe estetike të studimeve të Kodrës mbi figurën dhe personalitetin e Jeronim De Radës në letërsinë arbëreshe dhe asaj shqipe.
Simpoziumi shkencor në nder të 115-vjetorit të lindjes së studiuesit Ziaudin Kodra u përmbyll me përshëndetjet nga Z. Ilir Kodra, nip i prof. Ziaudin Kodrës. Z. Kodra shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për të pranishmit, si dhe gjithë studiuesit me kumtesat përkatëse në këtë simpozium shkencor të zhvilluar nga QSPA, në nder të atë afërmit të tij të dashur studiuesit dhe mixhës së tij, Ziaudin Kodra. Ai paraqiti mirënjohjen dhe kërkesën e tij personale drejtuar Drejtoreshës Ekzekutive të QSPA, prof. Diana Kastrati për hulumtime të mëtejshme për dorëshkrimet dhe ekspeditat e kryera të studiuesit Kodra në fshatrat arbëreshe për të nderuar studiuesin Kodra në 60-vjetorin e vdekjes. Në pozitat e nipit të prof. Ziaudin Kodrës, ai dëshmoi nderin dhe kontributin e vyer të Prof. Kodrës në studimet mbi letërsinë arbëreshe, jo vetëm në emër të familjes, por si një kontribut i çmuar për letërsinë shqipe, botën arbëreshe, studiuesit e rinj, lexuesit dhe publikun e gjerë.