Për të dytin vit radhazi, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) organizon projektin e saj kulturor dhe edukativ “Arbëria përmes syve të të rinjve shqiptarë”, i cili synon të afrojë brezin e ri me trashëgiminë arbëreshe dhe të forcojë lidhjet mes të rinjve shqiptarë dhe të rinjve arbëreshë në Itali.
Pas turit kulturor të vitit 2025, “Shqipëria përmes syve të të rinjve arbëreshë”, në të cilin të rinj arbëreshë të moshës 14–17 vjeç nga Montecilfone, Portocannone dhe Ururi udhëtuan në Shqipëri për të njohur më nga afër historinë, kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e vendit të të parëve, këtë vit janë të rinjtë shqiptarë të këtyre grupmoshave që do të njihen me ngulimet arbëreshe në Itali, siç shënjohet edhe në titullin e projektit: “Arbëria përmes syve të të rinjve shqiptarë”.
Nga data 7 deri më 12 shtator 2026, një grup nxënësish shqiptarë do të udhëtojnë drejt Molises, ku do të vizitojnë disa prej ngulimeve arbëreshe dhe do të njihen nga afër me historinë e tyre, gjuhën, traditat dhe mënyrat përmes të cilave kjo trashëgimi është ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.
Projekti organizohet nga QSPA, në bashkëpunim me Shoqatën “Kamastra” dhe me Sportelin gjuhësor arbëresh të Molises (Sportelli Linguistici Arbëreshe di Molise) dhe zhvillohet në disa prej qendrave arbëreshe të Molises, ndër të cilat: Montecilfone, Campomarino, Portocannone, Ururi dhe Guglionesi. Sot pritet që të rinjtë shqiptarë të mbërrijnë në Molise dhe agjenda e programit përfshin takime institucionale, vizita në qendrat historike dhe në fshatrat arbëreshe, njohjen me materiale dhe ekspozita të trashëgimisë kulturore, takime me komunitetin, aktivitete të lidhura me gjuhën arbëreshe, si dhe pjesëmarrjen në veprimtari që ruajnë dhe përcjellin traditat e këtyre komuniteteve.
Ky projekt ofron një mundësi të shkëlqyer që të rinjtë shqiptarë të njohin nga afër botën arbëreshe, të shohin vendet ku është ruajtur ndër breza trashëgimia e të parëve, të dëgjojnë gjuhën arbëreshe dhe të takojnë njerëzit që vijojnë ta ruajnë dhe ta përcjellin kulturën identitare.
Nisma e këtij viti vijon rrugëtimin e nisur në vitin 2025, duke e sjellë këtë herë përvojën në drejtimin e kundërt: nga Shqipëria drejt komuniteteve arbëreshe në Itali. Në këtë mënyrë, dy udhëtimet plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes të rinjve shqiptarë dhe arbëreshë, të cilët i bashkon trashëgimia e përbashkët kombëtare.


