Diana KASTRATI
Është diplomuar pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori Filologji, Dega Gjuhë Italiane. Ndër vite ka kryer një sërë specializimesh dhe kërkimesh të thelluara në këtë fushë pranë ateneve ndërkombëtarë, si: Università per Stranieri di Perugia, Università Roma Tre, Università Tor Vergata të Romës, Institutit të marrëdhënieve ndërkombëtare Clingendael në Hagë-Hollandë.
Ka punuar si pedagoge e brendshme në Departamentin e Italianistikës pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Nga dhjetori i vitit 2002 deri në nëntor te 2003 punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme të RSH-së, pranë Drejtorisë së Vendeve Antare të BE-së duke mbuluar vendet e BENELUX-it. Nga maji i 2004 deri në maj të 2005 punon pranë Cooperazione Italiana (Ambasada Italiane në Tiranë) ku, e punësuar nga Ambasada Italiane, koordinon punën midis Ambasadës italiane dhe MPJ të Shqipërisë në lidhje me projektin e ngritjes së Akademisë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, projekt i financuar nga qeveria italiane. Nga 2003 deri në 2020 punon si pedagoge e brendshme në Departamentin e Italianistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti Shtetëror i Tiranës. Titullare e lëndës së Sociolinguistikës italiane dhe e Historisë së Mesjetës italiane. Mban titullin Profesor doktor i asociuar. Nga 2016 deri në 2020 është Shefe e Departamentit të Gjuhës italiane pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në cilësinë e Përgjegjëses së Departamentit të Gjuhës italiane, organizon një seri kuvendesh diturake, projektesh dhe takimesh kulturore e letrare, kombëtare e me prani profesoreske e studiuesish ndërkombëtare, si mbi: Luigi Pirandello-n, Umberto Eco-n, Letërsinë migratore shqiptare në Itali, takime me shkrimtarë italianë e përkthyes.
Kontributi i saj spikat në këto lëmi: në atë akademike (mësimdhënie në Universitet) për 24 vite rresht; si studiuese e letërsisë dhë e kulturës italiane me artikuj të botuar brenda dhe jashtë vendit në revista të specializuara të natyrës kulturologjike, sociolinguistike, letrare dhe traduktologjike (më shumë se 40 tituj); studime dhe pjesëmarrje në konferenca e kuvende diturake, si brenda dhe jashtë vendit (Itali, Francë,Rumani, Kosovë etj); në atë të përkthimit, me një numër të konsiderueshëm përkthimesh të autorëve të spikatur të skenës kulturore dhe letrare italiane; në atë të publicistikës me shkrime të karakterit kryesisht kultuorologjik; pjesëmarrëse dhe Kryetare në disa Juri çmimesh letrare.
Fituese e Çmimit kombëtar të Përkthimit për vitin 2016. Për merita të veçanta në fushën e përkthimeve dhe përhapjes së kulturës italiane në Shqipëri, në 2018 me dekret të Presidentit Italian Sergio Mattarella, nderohet me Titullin Cavaliere della Stella d’Italia.