Drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati në përmbyllje të vizitës zyrtare në Prishtinë, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Institutin Arkeologjik të Kosovës, i cili njihet si një ndër institucionet më të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, dhe institucioni kryesor për shkencën e arkeologjisë në këtë vend.
Takimi dhe firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit u zhvillua në zyrën e Drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Z. Enver Rexha. Drejtori Rexha shprehu vlerësimin për punën e deritanishme të QSPA-së dhe ndër të tjera, informoi se dy nga punonjësit shkencorë të institucionit që ai drejton, po kryejnë studimet doktorale në Universitetin e Zarës për Antropologji fizike, gjë që mund të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Arbëreshët e Zarës.