Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe
“Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”
Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe me temë: “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria” u mbajt në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme më 30 tetor 2025. Fjalën përshëndetëse e mbajti Drejtoresha Prof. Diana Kastrati, e cila parashtroi veprimtarinë e QSPA-së në këtë 5-vjetor të saj. Ajo falenderoi kontribuesit ndër vite, nevojën dhe përgjegjësinë që ka QSPA, si institucion i qeverisë shqiptare për t’i dhënë arbëreshëve vendin që meritojnë në historinë e Shqipërisë. Ajo theksoi nevojën për qartësi dhe objektivitet në trajtimin e çështjes arbëreshe larg folklorizmave dhe aktivitete sporadike, me vizionin e duhur që meriton kjo diasporë.
Prof. Kastrati ia dha fjalën Sekretarit të Parë të Ambasadës së Italisë në Shqipëri, Z. Sergio Alias. Ai nënvizoi miqësinë mes dy vendeve tona, u ndal te diasporat shqiptare në Itali prej shekullit XV. Ai nënvizoi kontributin e diasporës historike arbëreshe në historinë e Italisë.
Prof. Emil Lafe në fjalën e tij parashtroi historikun e themelimit të QSPA-së, si një prej kontribuesve më të vyer të saj. Ai theksoi kontributin e letërsisë dhe gjuhësisë arbëreshe në letërsinë shqiptare. Sot shqiptarët e dheut të vjetër të Arbërit dhe institucionet tona po bëhen më të vetëdijshme për ekzistencën dhe punën që duhet kryer plr komunitetet e arbëreshëve të Italisë si një detyrim kundrejt ruajtjes së gjuhës amtare dhe diasporës sonë të vjetër arbëreshe.
Carmine Stamile, krijues i muzeut arbëresh të Qanës, në Kalabri përshëndeti përmes një video nga ambientet e muzeut që Qanës. Ai shprehu bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm të qendrës në këtë hark kohor 5-vjeçar në ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe.
Damiano Guagliardi, President i FAA-së falenderoi punën e QSPA-së në këtë 5-vjeçar. Ai theksoi nevojën dhe rëndësinë e punës së qeverisë dhe institucioneve shqiptare në ruajtjen e arbërishtes dhe kulturës arbëreshe. Z. Guagliardi theksoi nevojën e njohjes së arbëreshëve të Italisë në vendin amë në Shqipëri, një realitet pak i njohur.
Znj. Fernanda Pugliese, aktiviste e çështjes arbëreshe theksoi nevojën për ruajtjen e arbërishtes dhe identitetin italo-shqiptar që mbart çdo arbëresh i Italisë. Ajo renditi kontribues dhe dashamirës të çështjes arbëreshe shqiptarë në dy anët e Adratikut.
Znj. Rossella Blandi, avokate dhe aktiviste e çështjes arbëreshe nga San Benedetto Ullano theksoi në fjalën e saj shtyllat e ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe që janë gjuha, ritet dhe kujtesa e a komuniteteve arbëreshe. Ajo theksoi nevojën e ruajtjes së pakicave arbëreshe nën dimensionin e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Demetrio Crucitti shprehu rëndësinë e transmetimit të arbërishtes në rajonet ku janë të ngulitur arbëreshët e Italisë. Ai veçoi vitin 2023, si një vit të rëndësishëm të një bashkëpunimi shumëpalësh për arritjet e tanishme në fushën e transmetimit të arbërishtes në rajonin e Italisë. Ai theksoi rolin dhe kontributin e QSPA-së në këtë rrugëtim ruajtjeje të trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Leandro Ventura përshëndeti përmes një komunikimi online këtë veprimtari të një rëndësie të veçantë për QSPA-në. Në cilësinë e Drejtorit të Institutit Qendror të Trashëgimisë Jomateriale në Romë ai paraqiti projektet me fokus pakicën arbëreshe në Itali. Ai përshëndeti punën e kryer nga QSPA dhe shprehu vullnetin e tij për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy institucioneve.
Ekspozitë e përbashkët e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) me temë”Politikat e shtetit shqiptar dhe Arbëreshët e Italisë”.
Myrteza Sharra, punonjës i DPA, u paraqiti të pranishmëve dokumentet e nxjerra nga arkivat për ekspozitën e paraqitur në këtë Kuvend III të Studimeve Arbëreshe.
Prof. Giuliana B. Prato, antropologe dhe profesore me reputacion nga Universiteti i Kentit, mbajti një Lectio Magistralis: “Shaping New Albanian Identities: From Arbëresh Diaspora to Contemporary Expatriates”.
Ajo shprehu falenderimet e saj për ftesën dhe ndau me të pranishmit ardhjen e saj të hershme në Shqipëri. Ajo paraqiti fillesat e studimeve të saj për arbëreshët në Shën Marcani (San Marzano di San Giuseppe) të Puljas, ku edhe njohu shqiptarë të diasporës së re në Itali. Prof. Prato u shpreh se: “Identiteti nuk është një koncept statik, por dinamik e në një proces të vazhdueshëm ribërjeje. Roli dhe dëshira e diasporës për të ruajtur identitetin vetjak ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikat e vendit pritës kundrejt vendit amë”.
Ajo iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve mbi rolin e ligjit 482/99 në ruajtjen e kulturës arbëreshe, rolin e strukturave sociale si gjitonia në ruajtjen e kulturës arbëreshe dhe raportin mes diasporës së re dhe diasporës së hershme shqiptare në Itali.
Dr. Dorina Arapi, mbajti kumtesën me titull: “Nga diasporë historike në quasi-diasporë”: Arbëreshët dje dhe sot”. Ajo trajtoi evoluimin e konceptit diasporë në rrafshin teorik, marrëdhëniet e këtij koncepti me identitetin sipas studiuesve të huaj si Safran W. apo Clifford J. Ajo paraqiti një analizë të konceptit diasporë, asaj të vjetër dhe të re në kontekstin shqiptar. Diaspora e vjetër arbëreshe u trajtua në këtë referatë nën një sfond teorik nga autorë të ndryshëm të huaj dhe arbëreshë, për të zbardhur pozicionimin e diasporës arbëreshe mes të qenit diasporë apo një quasi diasporë.
Prof. asoc Diana Kastrati, Drejtore Ekzekutive e QSPA dhe studiuese e letërsisë dhe kulturës italiane, mbajti kumtesën me titull: “Rindërtimi i vetëdijes identitare tek të rinjtë arbëreshë: roli i politikave kulturore shqiptare në krijimin e një modeli të ri përkatësie”. Ajo trajtoi rindërtimin e vetëdijes dhe relativizimit të përvojave diasporike nga një vend në tjetrin. Në këtë trajtim ajo përdori bazën teorike të sociologjisë dhe filozofisë në kumtesën e kryer. Rasti i arbëreshëve u trajtua si një rast unik në rrafshin e shkencës së sociologjisë dhe disiplinave të tjera me një interes të veçantë shkencor të përdorimit të konceptit të identitetit dhe futjen e tij nën konceptin diasporë. Elementë të rëndësishëm si gjuha apo ritet risillen në mënyrë të vazhdueshme në raportin nostalgji-kujtesë. Ajo parashtroi disa prej politikave arsimore dhe gjuhësore që do të mund të ndërmerren në nxitjen e vetëdijësimit identitar tek të rinjtë arbëreshë.
Dr. Silvana Nini, pranë Insitutit të Antropologjisë, ASHSH, mbajti kumtesën me titull: “Rikrijimi i Atdheut: Identiteti dhe Kufijtë në Katundet Arbëreshe”. Në këtë kumtesë ajo trajtoi raportin mes kufijve hapësinorë dhe simbolikë të katundeve arbëreshë me raste konkrete nga ngulimet arbëreshe të cilat dëshmojnë rolin e elitave në krijimin e miteve. Dr. Nini trajtoi kufijtë dhe dinamikat kulturore te arbëreshët përgjatë shekullit të XX-të. Vallja, veshjet, raportet me vendasit ltinjtë, rilidhja me Shqipërinë u trajtuan në këtë kumtesë si shembuj të raportit mes identitetit dhe rikrijimit të Atdheut nga vetë komunitetet arbëreshe.
Këto kumtesa në përmbyllje të Kuvendit III të Studimeve Arbëreshe u shoqëruan me pyetje dhe diskutime mes të pranishmëve mbi temën: “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”, që i bëri bashkë në kremtimin e këtij 5-vjetori të QSPA-së.






