Merita Bruci u lind në Tiranë më 10.10. 1959.
U diplomua më 1981 për gjuhë dhe letërsi frënge në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.
Më 2004 u diplomua për studime krahasuese (dottore in studi comparatistici) në fakultetin Histori – Filozofi të Universitetit të Studimeve “L’Orientale” të Napolit me tezë: “Helena Gjika (Dora D’Istria) a Girolamo De Rada. Ricostruzione della questione culturale albanese attraverso la loro corrispondenza inedita. (Elena Gjika – Jeronim De Radës. Rindërtim i çështjes kulturore shqiptare nëpërmjet letërkëmbimit të tyre të pabotuar)”
Më 2011, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave Gjuhësore” me tezën “Vepra të pabotuara të letërsisë shqipe – Romani Sofia Cominiate i Franqisk Anton Santorit”. Më 2013, pranë po kësaj qendre, përftoi titullin “Profesore e Asociuar”. Në vitet 2008-2009 ka qenë docente titullare e lëndës “Filologji shqipe” pranë katedrës së gjuhës shqipe, Departamenti i Studimeve të Europës Lindore, Universiteti i Napolit “L’Orientale”. Që nga 2011 e në vazhdim docente titullare e lëndës “Hyrje në filologji” pranë shkollës së Masterit për Studime Letrare pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (më parë QNSA).
Pas një përvoje të gjatë si mësuese e gjuhës frënge (1980-1994) si filologe pranë Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë (1995-2006), si bashkëpunëtore shkencore pranë katedrës së gjuhës shqipe, Departamenti i Studimeve të Europës Lindore, Universiteti i Napolit “L’Orientale” (2006-2010), që prej vitit 2010 Merita Bruci është kërkuese pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike me fokus të veçantë: punë studimore dhe përgatitore për botimin kritik të veprave të letërsisë arbëreshe të mbetura ende dorëshkrim. Prej rreth 20 vitesh, pjesëmarrja në konferenca shkencore dhe monografitë apo artikujt e botuar prej saj apo në bashkëpunime i janë kushtuar kryesisht letërsisë dhe shkrimtarëve arbëreshë si dhe dokumenteve letrare të pabotuara më parë. Ndër të tjera përmendim:
“Shënime filologjike mbi një korrespondencë (Letra të Dora d’Istrias në gjuhën frënge dërguar De Radës)”- Prishtinë, 2003; “Franqisk Anton Santori mes trillit e së vërtetës – romani “Sofia Kominiate” – Prishtinë, 2007; “Aree culturali e letterarie in Albania” (Qarqet kulturore dhe letrare në Shqipëri) – Greci, (AV) Itali, 2008; “Verso un’edizione critica della letteratura arbëreshe sopratutto inedita” (Rreth botimit kritik të shkrimeve letrare arbëreshe ende të pabotuara) – Potenza, Itali, 2008; “Martin Camaj dhe e folmja arbëreshe e Greçit post Camaj.” Tiranë, 2010; “Rilindja kulturore e shqiptarve në një letërkëmbim – Letra të pabotuara të Dora d’Istrias dërguar De Radësi” – Tetovë, 2011; “Francesco Antonio Santori, dal romanzo al dramma: una koiné delle parlate arbëresh” – Napoli, 2012; “F. A. Santori dhe vepra e tij “Sofia e Kominiatëve” – Prishtinë, 2012; “Vendi i munguar i F. A. Santorit në letërsinë shqipe” – Prishtinë, 2013: “Letërkëmbimi i Jeronim De Radës me Louis Podhorszkyn në arkivat shqiptare” – Elbasan, 2014; “Letërkëmbimi i Santorit me De Radën në AQSH”, Tiranë, 2015; “Qasje variantistike e filologjike ndaj një kënge popullore arbëreshe “Shkoi një trim ka një rrug”, Tiranë, 2016
Franqisk Anton Santori dhe ringjallja kombëtare e shqiptarëve, IAKSA, Tiranë, 2019; “L’arbëresh, un risveglio difficile, ma non impossibile, Tiranë, 2019; “Autorë dhe letërsi arbëreshe në programet e arsimit parauniversitar: probleme dhe propozime”, Tiranë, 2019; “F. A. Santori me njohjes dhe mosnjohjes”, Tiranë, 2019.
Ndër dokumentet letrare që shohin për herë të parë dritën e botimit apo të ribotimit sipas kritereve të rrepta shkencore filologjike përmendim:
Elena Ghika a Girolamo De Rada. Lettere di una principessa. Studio introduttivo, trascrizione e note (Elena Gjika – Jeronim De Radës. Letra të një princeshe. Pajisur me një studim hyrës, transkriptim dhe shënime), Tirana, Bargjini, 2004, 308 f.
Botimi kritik nga dorëshkrimet origjinale në arbërisht dhe italisht të romanit të parë në gjuhën shqipe shkruar nga Franqisk Anton Santori : Francesco Antonio Santori Sofia e Kominĭatëve – Editio Princeps, Studio introduttivo di Italo Costante Fortino, Prolegomeni, trascrizione e apparato critico di Merita Sauku-Bruci, Vol. I, Università degli Studi di Napoli – « L’Orientale », Dipartimento di Studi dell’Europa Orientale, Napoli, 2011.
Merita Sauku-Bruci: Franqisk Anton Santori, Përrallëzat, në Studimeve Filologjike, botim i IGJL – ASA, nr. 1-2, 2016, f. 149-189, pjesa e parë.
Merita Sauku-Bruci: Franqisk Anton Santori, Përrallëzat, në Studimeve Filologjike, botim i IGJL – ASA, nr. 3-4, 2016, f.207-264, vazhdim dhe fund.
Franqisk Anton Santori, Emira – Rrugëtimi i tekstit letrar dhe botimi kritik i varianteve dorëshkrim në arbërishte nga Merita Sauku Bruci, Tiranë, Botimet Albanologjike, 2018, 602 faqe. Për kontributin e dhënë me botimin e kësaj vepre Merita Bruci u shpall fituese e Çmimit të Albanologjisë 2018-2019.