Lajmi i themelimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), është publikuar edhe në numrin e fundit të revistës Katundi Ynë, për t’u bërë i njohur në të gjitha komunat arbëreshe në Itali dhe më gjerë, kudo ku përhapet kjo media. Në këtë artikull është realizuar edhe një intervistë me Drejtoreshën Ekzekutive të QSPA, prof. as. dr. Diana Kastrati, që ka folur mbi planet afatshkurta dhe afatgjata të qendrës. Që prej 17 prillit të këtij viti, QSPA është vënë në funksionim të plotë dhe puna vazhdon e pandërprerë.
Kastrati ka ndarë me publikun edhe entuziazmin me të cilin është pritur hapja e kësaj qendre nga studiuesit të shumtë arbëreshë dhe shqiptarë, të cilëta kanë komunikuar dëshirën e madhe për bashkëpunime. Në lidhje me këtë, drejtoresha thotë: “Sinqerisht, jam ndjerë e befasuar nga mikpritja e lajmit të themelimit të një qendre të tillë brenda dhe jashtë kufinjve tanë dhe, më ka bërë edhe më të ndërgjegjshme se vendimi për hapjen e një qendre të tillë ka qenë ai i duhuri; se në veçanti Arbëreshët në Itali paskan pritur prej kohësh që të institucionalizohej përpjekja diturake për një vëmendje të plotë dhe ekskluzive ndaj kulturës arbëreshe. Kjo më gëzon pa masë por, e pranoj, më vë para një përgjegjësie të trefishtë: para vetes, para arbëreshëve e në veçanti para plejadës së dijetarëve e studiuesve që na kanë paraprirë”.
Ky shkrim botohet në numrin e 165 të revistës Katundi ynë, e cila ka dalë nga shtypi pa ndërprerje prej 51 vitesh, dhe ka hyrë në vitin e 52-të të historisë së saj.