Në aktivitetin e ditës së sotme të datës 11 tetor 2022 u paraqitën botimet e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve (QSPA) të zhvilluar në kuadrin e veprimtarisë së përvitshme “Muaji i Librit” organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me moton “Libri afron Botën”.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm studiuesit e ftuar Ymer Çiraku, Dhurata Shehri, Anila Omari dhe Elda Katorri, si dhe ishte e pranishme e drejtoresha ekzekutive e QSPA, Diana Kastrati, drejtoresha e botimeve Vilma Proko dhe studiuesit Edmond Cane, Silvana Nini, Jolanda Lila dhe Dorina Arapi. Studiuesit e pranishëm në këtë aktivitet trajtuan në mënyrë të përmbledhur, botimet e QSPA, 10 veprat studimore dhe dy revistat shkencore si më poshtë:
Profesor Ymer Çiraku, njëkohësisht edhe studiues i letërsisë bëri dy prezantime mbi veprën “Santori-poet dhe dramaturg” botim monografik i studiueses së letërsisë arbëreshe, prof. Klara Kodra dhe romanin e F. A. Santorit, “Bija e Mallkuar”. Në prezantimin e parë mbi veprën e studiueses Klara Kodra ai evidentoi rëndësinë dhe peshën e kësaj vepre, veçanërisht vuri në dukje punën e kujdesshme dhe të veçantë të studiueses Kodra. Profesor Çiraku vuri në dukje rëndësinë e romanit “Bija e Mallkuar”, si romani i parë i letërsisë arbëreshe dhe rëndësinë e shfaqjes së parë në prozë e shkrimtarit F. A. Santori.
Studiuesja dhe pedagogia e letërsisë Dhurata Shehri bëri prezantimin e veprës së Giuseppe Schirò Junior “Historia e letërsisë shqipe”. Shehri evidentoi rëndësinë e veprës dhe punën e gjatë me këtë vepër në hulumtimin e arkivës në Palermo të gazetës “L’Albanese d’Italia” ku iu desh përmes një pune sistematike të vërtetonte autorësinë e veprës dhe hedhjes poshtë të dyshimeve mbi autorësinë e kësaj vepre nga Ernest Koliqi.
Gjuhëtarja dhe studiuesja Anila Omari bëri një paraqitje të veprës “Dhimitër Kamarda- Për një shqipe” të gjithakushme edhe të gjithakundme & të tjera vepërza”. Përgatitur nga profesor Dhori Q. Qiriazi me një studim krahasues. Omari vuri në dukje vlerat e spikatura të kësaj vepre dhe ideve që autori shtjellon në të si dhe rëndësinë që ajo zë në historinë e shqipes letrare. Njëkohësisht evidentoi edhe rëndësinë e punës së Thimi Mitkos në shqipërimin e veprës në arbërisht të Kamardës. Studiuesja Omari evidentoi rëndësinë që ka vepra e Kamardës për hulumtime të mëtejshme për studiuesit e rinj.
Përkthyesja dhe pedagogia Elda Katorri bëri një prezantim të veprës “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” nga Michele Marchianò. Ajo vuri në pah vështirësitë e përkthimit të prozës liturgjike dhe konsultat e vazhdueshme me burime të ndryshme të përftimit të një përkthimi më të qashtër të kësaj vepre në nivelin diakronik dhe sinkronik të saj.
Drejtorja ekzekutive e QSPA dhe përkthyesja Diana Kastrati trajtoi veprën “Jeronim de Rada: Vepra historiko- filologjike, kuruar nga Prof. Jup Kastrati”. In memoriam. Kastrati evidentoi veçoritë e kësaj vepre dhe përkushtimin e profesor Jup Kastratit që në moshë fare të re, 16-vjeçare për veprat dhe figurën e Jeronim De Radës. Njëkohësisht prof. Kastrati prezantoi rëndësinë botimit të përmbledhjes së Konferencës Ndërkombëtare “Gjuhët e Rrezikuara dhe Diaspora” të mbajtur në Tiranë më 16-19 dhjetor 2021, në bashkëpunim me Fondacionin për Gjuhët e Rrezikuara (Foundation for Endangered Languages, FEL).
Vilma Proko, drejtoresha e botimeve pranë QSPA bëri një prezantim të botimit të periodikut shkencor “Continuum”. Revista e parë shkencore e QSPA-së për studimet arbëreshe, botën dhe trashëgiminë shpirtërore të arbëreshëve ku një kontribut të veçantë në ndjekjen e punës së kësaj reviste dhe përkujdesjes së vazhdueshme deri në daljen në shtyp të saj e profesor emeritus Emil Lafe.
Edmond Cane studiues pranë QSPA prezantoi rëndësinë e veprës “Studime arbëreshe”- Përmbledhje e artikujve studimorë të Maximilian Lambertz-it mbi arbëreshët: (Të folmet shqipe në provincën italiane Kampobaso dhe Foxha (Molize)”; Të folmet shqipe në Itali).
Dorina Arapi studiuese pranë QSPA bëri një prezantim të veprës së “Angelo Maschi: Mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen e tanishme të shqiptarëve në Mbretërinë e Napolit. Arapi evidentoi rëndësinë gjurmimit të dokeve, traditave e riteve të arbëreshëve në dheun amë.
Studiuesja e QSPA, Jolanda Lila bëri një paraqitje të përmbledhur të “A. Bellusci dhe O.Radovicka- Rrugëtim në ngulimet arbëreshe. Lila paraqiti rëndësinë e kësaj vepre e cila ofron informacion të pasur për ngulimet arbëreshë, sipas rajoneve në të cilat ndodhen në vendin pritës Itali.
Prezantimet vijuan me studiuesen Silvana Nini e cila prezantoi librin e saj “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e Arbëreshëve të Italisë së Jugut”. Nini paraqiti rëndësinë e veshjes jo vetëm si një element të rëndësishëm etnografik, por evidentoi ndikimin në veshjen arbëreshe të elementëve të marra nga vendi amë të ndërthurura me elementë të vendit pritës Italisë si dhe të gjithë detajet dhe elementët që e kanë bërë veshjen arbëreshe njëkohësisht ruajtëse të traditës, por edhe produkt të kohës. Autorja Nini evidentoi veçoritë e veshjeve të arbëreshëve të ngulitur në rajone të ndryshme të arbëreshëve të Italisë.
Prezantimet e botimeve të mësipërme u shoqëruan me diskutime mes të pranishmëve.