Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës organizojnë aktivitetin:
Turi “Shqipëria përmes syve të të rinjve arbëreshë”.
Në datat 18 – 24 shtator 2025, një grup të rinjsh arbëreshë, të moshës 14 – 17 vjeç, nga komunat arbëreshe Montecilfone, Portocannone dhe Ururi, do të vizitojnë Shqipërinë, ku do të njihen me rrënjët e tyre, kulturën dhe gjuhën shqipe.
Gjatë vizitës në Shqipëri, të rinjtë do të vizitojnë Tiranën, Krujën, Shkodrën, Lezhën dhe Beratin për të njohur nga afër vendet historike dhe kulturore që përfaqësojnë trashëgiminë e pasur të Shqipërisë dhe që dëshmojnë lidhjen e ngushtë të arbëreshëve me vendin e origjinës.
Ky aktivitet organizohet për herë të parë dhe është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Shoqatës “Kamastra”, Molise, falë të cilit u bë i mundur edhe realizimi i këtij turi.
Këto nisma do të vijojnë edhe në të ardhmen, duke forcuar më tej lidhjet shekullore midis komunitetit arbëresh të Italisë dhe Shqipërisë.






