Sot u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit Koordinues të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), ku në rend të ditës ishte diskutimi mbi nisjen e botimeve për kolanën enciklopedike të QSPA-së, e cila do të jetë një projekt së paku 3-vjeçar; miratimi i listës së botimeve vjetore të këtij institucioni, hartuar mbi bazën e kriterit cilësor dhe kontributit të autorët arbëreshë të cilët e kanë 2021-shin si vit jubilar; krijimi i një redaksie për kolanën e botimeve të QSPA-së, e cila do të ketë në përbërje 6 anëtarë: Një nga QSPA, dy anëtar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, dy anëtarë nga Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) dhe një përfaqësues nga komuniteti arbëresh në Itali. Anëtarët e kësaj redaksie do të përcaktohen pas propozimeve të secilit institucion.
Me praninë edhe të anëtarëve të Këshillit Akademik Teknik mbi Botimet e QSPA-së, të Ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko, si dhe të drejtoreshës ekzekutive të QSPA-së, prof. Diana Kastrati u diskutuan gjerësisht kriteret metodologjike mbi përzgjedhjen e veprave që pritet të botohen në këtë vit kalendarik, si dhe për strategjitë në planin afatgjatë të botimeve të këtij institucioni.
Kryetarja e Këshillit Koordinues të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA),prof. Merita Bruci gjatë drejtimit të mbledhjes propozoi tri pika kryesore, të cilat gjetën miratimin e të gjithë anëtarëve: Së pari, listën e veprave që do të botohen këtë vit, ku u vendos botimi i veprave të gjashtë autorëve të mirënjohur arbëreshë, të cilat kanë përvjetore të rëndësishme lindjeje ose vdekjeje, të tillë si: Ëngjell Mashi, Dhimitër Kamarda, Mikele Marchianó, Zef Skirò (Junior), Francesk Santorit dhe Maksimilian Lambercit; Së dyti, u miratua në parim kriteri kronologjik si kriteri bazë i përzgjedhjes së veprave kryesore sipas viteve, të cilat do të bëhen pjesë e kolanës enciklopedike që do të botojë QSPA në tre vitet e ardhshme dhe në vijim; Së treti, u vendos që për përgatitjen e kësaj kolane të ngrihet një redaksi e posaçme, me praninë e përfaqësuesve nga tre institucionet kryesore që do të bashkërendojnë punën: QSPA, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA). Diskutimi mbi titujt konkretë të kolanës dhe të redaksisë përkatëse u diskutua në parim dhe u vendos që të organizohet një mbledhje e posaçme në ditët e ardhshme për finalizimin në terma konkretë të përvijimit të punës për ecurinë e mëtejshme.