Kujtojmë sot me rastin e 95-vjetorit të lindjes, shkrimtarin, gjuhëtarin dhe filologun, Martin Camaj.
Ai lindi me 21 korrik në Temal të Dukagjinit. Pas mësimeve të para, ndoqi Kolegjën Saveriane në Shkodër dhe punoi për një vit si mësues në malësi. Më 1948 u arratis nga Shqipëria, duke u vendosur në fillim në Jugosllavi, ku më 1949 filloi studimet e larta për romanistikë e ballkanologji në Universitetin e Beogradit. Kreu Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Romës dhe u caktua lektor i gjuhës shqipe në atë universitet. Më 1961 vendoset në Gjermani, ku, pasi mbrojti doktoratën në fushën e albanologjisë, u emërua, më 1965, docent i gjuhës e letërsisë shqipe në Universitetin e Mynihut dhe më pas titullar katedre (1971–1990).
Përshkrimi i dialekteve shqiptare tek Arbëreshët e Italisë përbën për Camajn një prej fushave gjuhësore më të begata, të cilës iu dedikua qysh në zanafillat e veprimtarisë së tij kërkimore, duke realizuar një varg ekspeditash shkencore për tri dekada radhazi. Disa nga studimet e botuara në këtë kuadër, janë: monografia “La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino”, “Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza”; si dhe dhjetëra përshkrime të krijimeve dialektore italo-shqiptare, ndër të cilat veçojmë: “Zur Albanischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza” dhe “Per una tipologia dell’arberesh”.
Burimi origjinal: https://www.kultplus.com/libri/martin-camaj-gjuhetar/