Shuhet në moshën 86-vjeçare prof. Remzi Përnaska, studiues i devotshëm i shqipes dhe mësimdhënës i pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e të atyre jashtë Shqipërisë. Ai ka kontribuuar në shumë fusha, por sidomos është shquar për librat themelor në fushën e sintaksë së gjuhës shqipe, ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike. Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Studime”, “Gjurmime albanologjike” etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si “Cahiers balkaniques”, “Faits de langue”, “Travaux du cercle des linguistes de l’INALCO”, “Presses Universitaires de France”, etj. Mes shumë temave, ka botuar edhe studime gjuhësore mbi tekstet e vjetra shqipe e arbëreshe.
Është autor i dy krerëve (kundrina, rrethanori) të veprës madhore “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë. Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde.