Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) zhvilluan një veprimtari kulturore të përbashkët me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Jeronim De Rada. Ky aktivitet u hap nga drejtorja e QKLL, Znj. Alda Bardhyli dhe u zhvillua nën moderimin e studiueses së QSPA, Dr. Jolanda Lila. Në fjalën hapëse të veprimtarisë, studiuesja Lila theksoi rëndësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti, ku në fokus krahas aspekteve të tjera, ishte edhe botimi i librit “Vepra historiko-filologjike e De Radës”, “In memoriam”, kuruar nga Prof. Jup Kastrati botuar nga QSPA e cila prezantohet në këtë përvjetor duke nxjerrë në pah një kontribut të rrallë të J. De Radës.
Disa nga ligjëruesit kryesor të veprimtarisë dhe temat që u mbajtën prej tyre ishin si vijon: Prof. Ymer Çiraku trajtoi ndikimin dhe rolin e J. de Radës në letërsinë shqipe. Z. Behar Gjoka foli për figurën e J. De Radës si sistem për vlerësimin e raportit të individit me fatin e atdheut. Dr. Leka Ndoja trajtoi paraqitjen e botimeve në botën italo-shqiptare mbi veprën dhe figurën De Radës. Dr. Manjola Tërshana trajtoi mbresat nën punën e kryer në redaktimin e librit “Vepra historiko-filologjike e De Radës”, “In memoriam”, kuruar nga Prof. Jup Kastrati, ku u ndal te roli dhe pesha e bibliografisë të përdorur nga Prof. Jup Kastrati në punën e tij të 30 viteve hulumtim mbi De Radën. Dr. Jolanda Lila përmbylli aktivitetin duke u ndalur në detajet e botimit të veprës “Vepra historiko-filologjike e De Radës”, “In memoriam”, kuruar nga Prof. Jup Kastrati.