Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Prof. Diana Kastrati ka zhvilluar një vizitë pune në Prishtinë, në funksion të prezantimit dhe bashkëpunimit me institucionet më të rëndësishme kulturoro-shkencore të Kosovës.
Në këtë kuadër, Prof. Kastrati është takuar edhe me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve znj. Vlora Dumoshi, e cila ka përshëndetur dhe vlerësuar institucionalizimin e studimeve mbi Arbëreshët, gjë që ndodh për herë të parë në arealin shqipfolës.
Kryefjala e takimit dypalësh ka qenë nxitja e bashkëpunimit mes Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Ndër të tjera, u fol edhe për një kalendar të përbashkët aktivitetesh, për të cilin do të punohet në muajt në vijim.