Përfundoi me sukses veprimtaria me temë “100-vjetori i poetit arbëresh Lluka Perone”, organizuar sot, me datë 10 dhjetor nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me departamentin e letërsisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Të ftuar ishin dhe dy studiuesit e mirënjohur të letërsisë Prof. dr. Ymer Çiraku dhe Prof. Dr. Sadik Bejko, të cilët kanë botuar prej vitesh studime mbi letërsinë arbëreshe në përgjithësi dhe për veprën e Lluka Perrones në veçanti.
Në fjalën e saj Drejtoresha e QSPA-së, Diana Kastrati foli për aktivitetet e shumta të ndërmarra nga institucioni që drejton për të kujtuar figura të rëndësishme të letërsisë arbëreshe. Gjithashtu, edhe shefja e departamentit të letërsisë, Prof. Persida Asllani përshëndeti nismën e QSPA-së dhe shprehu gatishmërinë edhe për bashkëpunime të tjera të kësaj natyre.
Prof. Ymer Çiraku në fjalën e tij u fokusua tek poezia e Lluka Perone: “Krahas Dushko Vetmos e Vorea Ujkos, Karmell Kandrevës e Pietro Napolitanos dhe jo pak të tjerëve, Lluka Perrone, është nga ata poetë, që e mbarti denjësisht vazhdimësinë dhe mbijetesën e denjë të kësaj letërsie. Te ky poet, shfaqet një profil interesant dhe konsekuent në prirjet e tij artistike. Ai doemos që përthith mjaft elemente nga limfa e poezisë së epokës deradiane, por ky qëndrim i tij, nuk shfaqet e mbetet në nivel plagjiature, përkundrazi, vjen si nevojë ekuilibri artistik, për të ruajtur e vijuar prirje të atilla etno-kulturore, që do të mbeteshin në harmoni me shpirtin dhe frymën e këtij komuniteti, ngulur në mes të botës latine. Pra, fryma romantizante, ideja fikse e mallit për dheun e të parëve, plazmimi i mjaft elementeve nga folklori, kujtesa dhe vetëdija historike, vazhdojnë të përcillen edhe te ky poet, duke dëshmuar lidhjet me këtë situatë letrare specifike, por që sigurisht – nuk e shpërfill totalisht realitetin më të gjerë socio-letrar përreth. Shkrimtari dhe dijetari i shquar arbëresh Dushko Vetmo (Françesko Solano), e ka vlerësuar krijimtarinë poetike të Perrones si një poezi në dukje disi të thjeshtë, me mesazh të qartë, ku ndihet “dritë agimesh dhe vegullime mëngjesore bashkë me kuqërrime të mbrëmjes: hidhërime të shpirtit në fjalë të sjella përmbi flatrat e erës së natës…”. Pas metaforikës së këtij gjykimi të hollë impresionant, është sintetizuar thelbi i kësaj poezie, sa të kthjellët e të qetë në dukje, aq edhe të trazuar së brendshmi, duke u shfaqur si një poezi e kontrasteve dhe e dramatizmit tronditës. Pikturimi me dritë-hije i mjediseve dhe i përjetimeve njerëzore, të adresuara këto, nëpër situata dhe episode reale – apo në një kontekst universal, përcjell te lexuesi harenë dhe dramën e jetës. Ky pasqyrim kompleks, është në vazhdën e poezisë arbëreshe, që përgjithësisht, ka synuar të bëhet një kronikë sa më e plotë e jetës, në frymën e artit epiko-lirik.
Profesor Sadik Bejko u ndal tek roli i Lluka Perrones si poet dhe pasuria që ai la pas në letërsinë tonë. “Konceptimi i autorëve minor ose madhor në një letërsi ndonjëherë përcaktohet edhe nga faktor të tjerë, si për shembull që një autor është i rëndësishëm në një moment të caktuar, nëse i marrin parasysh edhe merita plus që mund të ketë, për shembull një kontribut në fushën politike. Lluka Perrone, si letrar për mua në vlerat e tij më të mirë, frymëzimin e tij të pasur dhe të balancuar në mjediset arbëreshe për mua është një shkrimtar i shek. XX dhe poezia e tij sado që duket si një poezi peizazhi është shumë më shumë se sa një varg imazhesh të lidhura më njëra-tjetrën. Vargjeve të tij duhet t’u gjesh një lidhje për t’i kuptuar, pra është një poezi me ide dhe jo një poezi formale, gjë që e bën Perronen një autor të rëndësishëm, jo vetëm në poezinë arbëreshe, por edhe në poezinë shqiptare.”
Veprimtaria u ndoq gjerësisht nga shumë studiues, profesorë e studentë dhe pati disa diskutime mbi rëndësinë e rivlerësimit të letërsisë arbëreshe në përgjithësi.
Ditët e Librit Arbëresh Edicioni II
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në edicionin e dytë të...