Sot shënohet 194-vjetori i lindjes së poetit arbëresh Gavril Dara i Riu.
Ai lindi në Palaco Adriano të Italisë, më 6 janar 1827 në familjen e shquar Dara, prej së cilës dolën disa personalitete në fushën letrare, kulturore e juridike.
Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet, ai kreu studimet e larta për drejtësi. Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha në italisht. Në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848, paraqitet me një ditar të lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës. Në shkurt 1858, Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, “Përtëritja e jetës”. Në artikujt që botoi aty, ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqimisht.
Gavril Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh. Vepra e tij e vetme në shqip, “Kënga e sprasme e Balës” është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë. Dara u nda nga jeta me 19 nëntor të vitit 1885.