Tirana është kthyer në kryeqendrën e tubimit më të madh akademik ndërkombëtar, ku studiuesit më të rëndësishëm prej vendeve të ndryshme të botës kanë diskutuar mbi gjuhët që rrezikojnë të zhduken. FEL (Foundation for Endargered Languages) me seli në Londër dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) po organizojnë konferencën ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, ku një vëmendje e madhe i kushtohet edhe gjendjes së arbërishtes dhe studimeve mbi të si gjuhë e rrezikuar e diasporës. Kjo është hera e parë që organizohet një konferencë e përmasave të tilla ndërkombëtare, ku marrin pjesë 54 studiues prej universiteteve e qendrave kërkimore-shkencore më me emër në botë, të cilët për katër ditë me radhë, përkatësisht nga data 16-19 dhjetor 2021, në mjediset e godinës universitare “Liria”, po paraqesin rezultatet e punës së tyre studimore në lidhje me gjuhët që rrezikojnë të zhduken në ditët e sotme.
Në ceremoninë hyrëse të ditës së parë përshëndetën veprimtarinë drejtuesit e institucioneve organizatore të konferencës, ku fillimisht profesoresha Eda Derhemi si drejtoreshë e edicionit të 25-të të FEL u ndal mbi rëndësinë e kësaj konference në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rolin e madh të nxitjes së kërkimit shkencor mbi ruajtjen e gjuhëve të rrezikuara të diasporave. Gjithashtu, ajo falënderoi për mikpritjen dhe punën e madhe organizative të këtij edicioni nga ana e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Më tej, fjalën e mori drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, Prof. Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se ekzistojnë tri “primizie”, (që ndodhin për herë të parë) të cilat shënjojnë këtë ngjarje të sotme: Së pari, për herë të parë konferenca e përvitshme e FEL-it, këtij Fondacioni dinjitoz, organizohet në Shqipëri e, përkon me një shifër: të 25-tën e tij;
Së dyti, për herë të parë vjen në qendër të vëmendjes të mjediseve akademike e studimore shqiptare, por edhe të qendrave albanologjike në Itali e gjetkë, një argument i tillë: debati mbi gjuhët e rrezikuara, një çështje tejet e rëndësishme jo thjesht për ndjeshmëritë e gjuhëtarëve e të sociolinguistëve. Në këto ditë do të kemi 70 kumtues, 14 nga të cilët nga Shqipëria; 56 nga Europa (Britani, Francë, Itali, Zvicër, Maqedoni, Gjermani, Federata Ruse, Greqi, Turqi, Austri, Suedi, Poloni, Kroaci), Izrael, ShBA, Australi, Malajzi, Pakistan; dhe 6 keynote (lektorë të ftuar), ndër të cilët njëri është për arbërishten. Nga 36 kumtesat në seancat plenare në 3 ditët, 11 janë për arbërishten, kryesisht nga studiues arbëreshë, italianë, apo vende të tjera të Europës – deri për arbëreshët në Kanada. Ka dhe një panel ditën e 4-t nga studiues jashtë zonave arbëreshe: Akademia e Shkencave, QSPA, Universiteti i Elbasanit, Un. Durrësit, Un. “Nënë Tereza” Shkup.
Kjo çështje mbart peshë kombëtare. Por ajo që na intereson drejtpërdrejtë, është fakti se do të diskutohet për herë të parë në mënyrë absolute për arbërishten dhe statusin e saj si gjuhë në rrezik e shpallur nga UNESCO që nga shekulli i kaluar. Referuar Atlasit të gjuhëve ne rrezik i publikuar nga ky organizëm përcaktohen 4 stade apo seksione: vulnerabël, në rrezik, në situatë kritike, të zhdukura pas 1950. Konkretisht në Itali nga 31 gjuhë të shpallura nga ky Atlas, 5 janë seriozisht në rrezik, kurse 22 në rrezik, ndërmjet të cilave arbërishtja. Pra, stadi i dytë. Mendoj se kumona e alarmit nuk mund të flasë më në mënyrë elokuente se kaq. E këtu vijmë tek “primizia” e tretë, por që në gjykimin tim rezulton më e rëndësishmja: qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtij tharmi të identitetit tonë kombëtar. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në 2019, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave ngritja e një Qendre studimesh dhe botimesh për Arbëreshët, e para qendër me fokus ekskluziv ndaj këtij universi gjuhësor, kulturor, antropologjik që si rrallëherë në historinë e njerëzimit akoma sot pas thuajse 6 shekujsh shpërnguljeje mban sytë tek shteti amë, veneron identitetin e tij pa mëdyshje, kompromis. Përpos detyrimeve institucionale e shtetërore, më lejoni t’ju them se kjo Qendër që në fillimin e punës më 11 mars 2020, ka ndjerë detyrimin moral sa në nivel personal a kolektiv që ky “tren kalon vetëm një herë” e, përgjegjësia është dyfishuar”.
Me tej, drejtori i Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL), prof. Nicholas Ostler bëri një vështrim panoramik të aktivitetit të përvitshëm të FEL dhe u ndal në rëndësinë e temës speciale të edicionit të 25-të, ku arbërishtja përbën një rast unik të mbijetesës gjashtëshekullore si gjuhë dhe si kulturë, tezë të cilën ai e zgjeroi edhe gjatë seancës së dytë me temën e tij mbi hapat për ruajtjen e kësaj gjuhe.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend, të cilët përshëndetën punimet e kësaj konference. Në emër të ministres Olta Xhaçka, përshendeti zv.ministria e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Znj. Megi Fino. Ajo theksoi rolin e madh që arbëreshët kanë pasur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, por edhe në intensifikimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë. Sipas saj, komuniteti arbëresh meriton më shumë vëmendje nga shteti ynë dhe të rinjtë e një gjaku këtej e andej Adriatikut duhet ta njohin më mirë njëri-tjetrin. Ndërsa në emër të ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci përshëndeti të pranishmit znj. Lucia Cucciarelli, shefe e zyrës së arsimit pranë Ambasadës italiane në vendin tonë, e cila theksoi hapat institucionalë që bërë vendi pritës për diasporën historike dhe atë të sotme shqiptare.
Konferenca “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora” do të vijojë edhe në tre ditët e ardhshme në panele të veçanta , ku pritet të trajtohen disa nga temat më të prekshme mbi rrezikun që i kanoset gjuhës së diasporës në përgjithësi dhe arbërishtes në veçanti.
Punimet e konferencës janë botuar të plota nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me FEL dhe janë në dispozicion të të gjithë të interesuarve mbi këtë lëmi studimore.