Kujtojmë sot me rastin e 115-vjetorit të lindjes, arbëreshin e shquar, leksikografin e enciklopedistin Kruno Kërstiç (Kruno Kërstić, 1905-1987). Kruno Kërstiç është një Arbanas nga Zara i mirënjohur si gjuhëtar, filozof, enciklopedist, historian, përkthyes dhe kritik letrar. Ai është autor i shumë zërave të enciklopedisë kroate. Kontributi i tij është madhor edhe në drejtim të ruajtjes së gjuhës e kulturës arbëreshe. Në këtë kuadër përmendin faktin se këtë vit u shënua edhe 33-vjetori i publikimit të veprës më të rëndësishme të tij, Fjalorit folës të Arbanasve të Zarës, i cili ishte i vetmi fjalor në këtë lëmi deri para pak ditësh, ku u botua një tjetër fjalor nga studiuesja Maximiljana Barančić.
Gjithashtu, ai ka përgatitur “Fjalorin e dallimeve mes serbishtes dhe kroatishtes” dhe për këtë arsye, është dënuar me burg, për shkak se në atë kohë thuhej se serbishtja dhe kroatishtja janë një gjuhë. Në fillim të viteve 80-të ka botuar veprën për historikun e ardhjes së Arbëreshëve në Zarë, ku sërish i janë bërë presione për shkak të censurës nacionaliste të kohës.
Sot, një nga shkollat kryesore në Zarë mban emrin e tij dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të shkencave filologjike në Kroaci.