Më 8 tetor 1860 lindi Mikel Markianoi, historian i letërsisë, folklorist dhe përkthyes i njohur arbëresh, autor i veprave “Koloni arbëreshe të Italisë”; “Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës”, si dhe i mjaft studimeve folklorike. Ishte kushëri me poetin e madh arbëresh Jeronim De Radën, nga i cili u ndikua për të mirë gjatë gjithë jetës së vet. De Rada i drejtohet Mikelit në këtë mënyrë: “Shumë i dashuri kushëri” ose “Nipi im i dashur”. Shtëpia, ku banoi De Rada në Maq, ka qenë dikur e Markianoive. Kishte kulturë të gjerë, si shkrimtar dhe shkencëtar, dallohej për horizontin dhe diapazonin e gjerë, veçanërisht në shkencat humanitare. Markianoi, studioi në Napoli, u diplomua në letërsi dhe punoi si profesor i gjuhëve klasike. Studioi e botoi shumë, si në italisht, ashtu edhe në arbërisht. Ndër të tjera realizoi përmbledhjet: “Këngë popullore arbëreshe të kolonive të Italisë” (1908); “Këngë popullore të Kapitanatës dhe të Molises” (1912); “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” (1913); “Burimi i përrallës greke dhe lidhjet e saj me përrallat orientale”, si dhe përmbledhjen që paraqet shumë interes sa për pëmbajtjen e saj, aq edhe për vlerat studimore lidhur me zanafillën e krishtërimit në Shqipëri: “Poezi kishtare shqipe” – me tekste këngësh e vargje të vjetra popullore kishtare, sjellur në Kalabri nga dheu mëmë.
Burimi origjinal: https://konica.al/2019/05/nje-jete-per-folklorin-dhe-traditen/?fbclid=IwAR2QbxAKe3F4gA16zUhaAG7Dl4yutAuWYf2XWTkKlZv3dGMQivO_Bhz4PaM