Kujtojmë sot me rastin e 217-vjetorit të vdekjes, hulumtuesin e gjuhës shqipe, poetin Nikollë Keta (Nicolò CHETTA, 1741–1803).
Ai lindi me 31 korrik të vitit 1741 në fshatin Kundisa të Sicilisë dhe vdiq me 15 tetor të vitit 1803. Kreu studimet në kolegjin arbëresh të Palermos. Menjëherë pas shkollimit u bë prift dhe shërbeu si rektor i këtij kolegji. Hartoi një varg veprash, ndër të cilat një fjalor italisht-shqip prej rreth 5000 fjalësh, “Etimologico della lingua albanese” (“Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”), prej më shumë se 10 mijë fjalësh, një sprovë të shkurtër të gramatikës së shqipes, “Katalogu mbi familjet e mëdha arbëreshe” dhe “Tesoro di notizie su dei Macedoni” (“Thesar njoftimesh për Maqedonët”). Vepra e fundit ndahet në tri pjesë. Në pjesën e parë autori përpiqet të vërtetojë prejardhjen e Shqiptarëve nga Maqedonët e vjetër, të cilët ai i përfytyron të afërt me Epirotët dhe si pasardhës të Pellazgëve, në pjesën e dytë bën fjalë për Shqiptarët në periudhën e Skënderbeut dhe në të tretën për ngulimet arbëreshe në Sicili dhe për të folmet e tyre. Kjo vepër është botuar me shpjegime e shënime kritike nga studiuesi arbëresh M. Mandala. Nikollë Keta ka hartuar një numër të madh vjershash origjinale, nga të cilat duhet përmendur sidomos një tingëllimë autobiografike, që është e para tingëllimë në historinë e poezisë shqipe. Pjesa më e madhe e veprave të tij kanë mbetur dorëshkrim.