Sot është 75-vjetori i historianes së letërsisë, poetes dhe profesoreshës Klara Kodra, e cila lindi në Tiranë më 22 tetor të vitit 1945. Pasi kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës, filloi punën në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë (1965). Fusha e saj kryesore studimore është historia e letërsisë arbëreshe, për të cilën ka botuar shumë artikuj dhe disa monografi, si “Vepra poetike e Zef Serembes”, 1975; “Poezia e De Radës”, 1989; “Tipologjia e poemës arbëreshe” (2000), Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqiptare, QSA, (2011). Është gjithashtu bashkautore e veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983). E prirë ndaj zbulimit të mesazhit të veprës poetike, K.K. sjell shpesh shqyrtime të formës, të mbështetura mbi strukturën klasike. Ka botuar gjithashtu disa vëllime poetike. Dy monografitë “Tipologjia e poemës arbëreshe (2001)“, dhe “Dramaturgjia e Arbëreshëve të Italisë (2004)” u kushtohen çështjeve të rëndësishme historiko-teorike të kësaj letërsie, tipologjisë tepër të veçantë të poemës arbëreshe dhe gjinisë së dramaturgjisë ku shkrimtarët arbëreshë u prinë sivëllezërve të Shqipërisë. Një tjetër profil i profesoreshë Kodrës është edhe përkthimi, ku dallohet përkthimi i poemës “Odiseu” dhe krijime poetike në poezi e në prozë të De Radës italisht, gjithashtu edhe tregimin “Diana”. Të gjitha këto janë përfshirë në Veprat e De Radës në tri vëllime, Tiranë 1987. Ka hartuar disa zëra për letërsinë arbëreshe në dy botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985 dhe Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008-2009). Profesoreshë Klara është e bija e poetes së njohur me origjinë italiane Jolanda Kodra, e përkushtuar së tepërmi atdheut të të shoqit ku kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe mbylli sytë, e njohur më shumë si kritike dhe përkthyese.
118 vjetori i lindjes së Ernest Koliqit
Më 20 maj 1903 lindi Ernest Koliqi mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, edhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë...