Marie Kraja, këngëtarja e madhe shqiptare ka lindur në Zarë të Dalmacisë me 23 shtator 1911, nga një familje arbëreshe të shpërngulur nga Kraja. Ndoqi shkollën e mesme muzikore në Vjenë dhe kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Gracit (1929–1934). Punoi si mësuese në gjimnazin “Donika Kastrioti” në Shkodër dhe në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Zhvilloi veprimtari koncertore në qytetet kryesore të vendit. Interpretoi pjesë të njohura të repertorit klasik dhe shumë këngë popullore.
Pas çlirimit dha mësim në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe punoi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku interpretoi një radhë rolesh operistike kryesore të repertorit tradicional të huaj dhe shqiptar. Interpretuese në dy operat e para shqiptare (“Mrika”, P. Jakova), “Lulja e kujtimit” (K. Kono).
U shqua për veti individuale interpretuese, sidomos për trajtimin e këngës popullore; u karakterizua nga një teknikë dhe nivel artistik i lartë, përmes të cilave krijoi variante të reja koncertore të këngëve (si p.sh. “Mashalla bukurisë sate”, “Mjedis ballit ke një pikë”, “Kënga e Rexhës” etj.) dhe formoi traditën e një interpretimi shumë besnik të këngës popullore, veçanërisht të këngës shkodrane.
E gjithë karriera e saj ka arritur majat në Teatrin e Operas dhe të Baletit në Tiranë, ku në fillim interpretoi opera të mëdha shqiptare dhe më pas, arriti majat e saj me interpretimet e operave më të mëdha botërore.
Burimi origjinal: https://proinformacion.com/2019/09/25/marie-krajaartistja-shqiptare-e-lindur-ne-zare-te-dalmacise/