Kujtojmë sot me rastin e 57-vjetorit të vdekjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun, Maximilian Lamberc (1882 – 1963).
Si albanolog, vëmendje të veçantë i ka kushtuar studimit të dialekteve arbëreshe e ndarjes dialektore të shqipes, folklorit dhe kulturës popullore shqiptare.
Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip, më 1913; pastaj shkoi në Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).Mbajti kursin e gjuhës shqipe në Universitetin e Lajpcigut dhe hartoi një varg librash për mësimin e shqipes, një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim gjermanisht e me një hyrje për gjuhën shqipe (1948, dy vëllime) dhe një kurs të gjuhës shqipe në tre vëllime (Fjalor shqip-gjermanisht, Antologji shqipe, Gramatikë, 1954, 1955, 1959). Ka botuar edhe punime për sintaksën e shqipes. Ka shkruar artikuj e recensione vlerësuese për botime gjuhësore dhe letrare shqiptare. Ka përkthyer dhe botuar të plotë gjermanisht veprën e Gj. Fishtës “Lahuta e Malësisë”, si edhe dramën “Toka jonë” të K. Jakovës.
Për më shumë, na njeh materiali në vijim.
Burimi origjinal: https://fjala.al/2020/08/26/maksimilian-lamberc-austriaku-i-dashuruar-me-gjuhen-shqipe/