Sot me datë 1.11.2022 nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në vazhdën e bashkëpunimit ndërakademik, ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Marrëveshja e firmosur nga drejtoresha Ekzekutive e QSPA-së, Prof. Diana Kastrati dhe Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof. Esmeralda Kromidha konsiston në bashkëpunimin e ndërsjelltë në fushën kërkimore-shkencore dhe marrjen pjesë në projekte të përbashkëta akademike, të cilat kanë në fokus botën arbëreshe. Nënshkrimi i marrëveshjes u realizua në ambientet e zyrës së dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në prani të stafit drejtues të këtij fakulteti. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është fillimi i programimit të një agjende të përbashkët të dy institucioneve në lidhje me përfshirjen e studentëve dhe doktorantëve në kërkimin shkencor mbi universin arbëresh, mbi gjuhën, historinë, etnografinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, si edhe publikimin e tyre.
Veç nënshkrimit të marrëveshjes, të dy titullarët e institucioneve përkatëse, diskutuan edhe për hapësira të tjera të mundshme bashkëpunimi në të ardhmen, të cilat mund të kontribuojnë në zhvillimin e mendimit akademik dhe njohjes së thelluar mbi Arbëreshët.