Kujtojmë sot me rastin 106-vjetorit të lindjes, studiuesin arbëresh, Mateo Shambra (Matteo Sciambra). Lindi në fshatin Kundisë në Sicili. Studioi në Seminarin Papnor “Benedetto XV” të Grotaferratës e më pas, u transferua në Kolegjin Papnor Grek “S. Atanasio” të Romës, për të ndjekur kursin e Filozofisë e të Teologjisë. U shugurua prift në Horën e Arbëreshëve dhe punoi fillimisht në Seminarin arbëresh të Palermos. Më pas, kreu studimet e larta për letërsi në Universitetin e Palermos dhe filloi karrierën universitare si asistent i profesor Xhuzepe Valentinit, titullar i katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe.
Librat studimorë të Mateo Shambra-s hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e shkrimtareve arbëreshë, si dhe në veprimtarinë e institucioneve kulturore, fetare e kishtare arbëreshe. Ai gjithashtu, dha ndihmesë edhe për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë muzikore liturgjike bizantine të bashkësive arbëreshe, për të cilat la disa përmbledhje në dorëshkrim.
Burimi origjinal: http://redaktori.net/mateo-shambra-studiuesi-i-shqipes-ne-bashkesite-arbereshe-te-italise/