Vizita zyrtare në rajonin e Puljas në Itali, e Drejtoreshës Ekzekutive të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati dhe Dr. Rudina Duraj (Hoxha) u hap me takimin e kryetarit të bashkisë së San Marzano-s, z. Giuseppe Tarantino dhe përfaqësues të shoqatave arbëreshe në ambientet e kësaj bashkie.
Gjatë takimit u parashtruan disa çështje ku u bisedua për nevojat dhe vështirësitë e kësaj komune arbëreshe mbi ruajtjen e kulturës arbëreshe, por veçanërisht të gjuhës arbëreshe, ku u evidentua që problemet me bjerrjen e arbërishtes dhe mungesën e dhënies së gjuhës në shkolla kërkojnë zgjidhje të brendshme. Gjatë takimit u fol për bashkëpunimet e mundshme mes dy palëve për ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës arbëreshe të kësaj zone dhe vendosmërinë e QSPA në mbrojtjen e kësaj çështjeje. Gjatë vizitës grupi i punës së QSPA u ndal në ambientet e Qendrës së Kërkimit dhe Katalogimit të Trashëgimisë Muzikore Arbëreshe, i njohur ndryshe si Laboratori muzikor kulturor “Arbëria” i drejtuar nga Leonardo Belvedere. Kjo qendër është ngritur në ambiente të financuara nga Komuna e kësaj zone për ruajtjen dhe rigjallërimin e kulturës arbëreshe të San Marzano-s.








