Sot shënohet 98-vjetori i lindjes së studiuesit arbëresh Antonino Guzzetta. Ai lindi në Horë të Arbëreshëve, më 14 tetor 1922 dhe u nda nga jeta 3 vjet më parë, pikërisht me 26 korrik të vitit 2017. Ishte i biri i Giorgio Guzzetta-s, themelues i seminarit greko-shqiptar të Palermos, ku mori formimin fillestar. Më pas u diplomua në universitetin e Palermos, në degën Letërsi – Filozofi.
Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Katedrën e Institutit Oriental të Napolit. Pas një viti, u transferua në Palermo, ku vijoi të kryente detyrën e profesorit deri në vitin 1997. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Qe luftëtar i vërtetë i ruajtjes dhe funksionimit të katedrave shqipe në Itali, i ndihmuar në këtë përpjekje edhe nga miq të shumtë jashtë Italisë. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare.