Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në edicionin e dytë të veprimtarisë: “Ditët e librit arbëresh”, i cili nis ditën e hënë, datë 30 shtator, në Hotel Tirana International (salla “Abret”)
Veprimtaria e këtij viti i kushtohet njërit prej elementëve më të rëndësishëm të kulturës materiale e shpirtërore arbëreshe, pikërisht kostumit tradicional të grave, i cili përfaqëson në mënyrë të qartë identitetin arbëresh, të trashëguar prej gati 5 shekujsh nga brezi në brez.
Nën temën: “Studimet antropologjike dhe dijebërja artizanale e veshjes së gruas arbëreshe”, për dy ditë me radhë, do të prezantohen ligjërata akademike nga studiues të mirënjohur në arenën ndërkombëtare, mes të cilëve spikat prania e antropologut italian Mario Bolognari, si dhe do të jepen dëshmi e të dhëna mbi teknikat artizanale të veshjeve, të cilat vijnë nga vetë arbëreshet, që e kanë trashëguar deri në ditët e sotme dijebërjen e veshjeve.
Për herë të parë në Shqipëri, do të çelet edhe një ekspozitë me kostume arbëreshe autentike mbi 100-vjeçare, të cilat kanë vlera të jashtëzakonshme historike dhe janë dëshmi e praktikave tradicionale të punës artizanale.
Më poshtë gjeni programin e Ditëve të librit Arbëresh, edicioni II, dhe informacion më të detajuar mbi profilin e pjesëmarrësve.




