Më 12 tetor të vitit 642 vdiq Papa Gjoni i Katërt. Ai lindi në Zarë, në një datë të papërcaktuar dhe vdiq në Romë. Ishte në detyrën e kreut të Vatikanit nga 24 dhjetori i vitit 640, deri në vdekje.
Është Papa i 72 – të i Kishës katolike dhe i treti me origjinë iliro-arbërore.
Ndërmjet shumë veprimtarive të Papës, në qendër të vëmendjes, ishte Dalmacia, problemet e së cilës i pati fort për zemër pasi, siç deklaroi shumë herë, ishte vendlindja e tij. Prej këndej nuk i kurseu përpjekjet për t’iu bërë krah popullsive dalmate, asokohe të tmerruara nga dyndjet barbare. Dërgoi në Dalmaci Abat Martinin, me një shumë të madhe të hollash, për të liruar bashkatdhetarët, robër të sllavëve dhe të avarëve. Martini shkoi, çliroi shumë robër dalmatë e, më të kthyer, solli me vetë reliket e shenjtorëve Venanci, Anastasi, Mauri e të shumë të tjerëve.